Botë

Gjermani, Merkel shpëton postin: Arrihet marrëveshja për koalicionin e madh

12.01.2018 11:42

21 orë bisedime me 39 negociatorë të përfshirë, por më në fund arrihet marrëveshja për një koalicion të tretë të madh në Gjermani...

21 orë bisedime me  39 negociatorë të përfshirë, por më në fund arrihet marrëveshja për një koalicion të tretë të madh në Gjermani dhe  kancelarja Merkel  ruan kështu  postin e saj.
 
Kristiandemokratët, bashkë me CSU dhe social demokratët e Martin Schulz,  hartuan paktin me rreth 30 faqe për qeverinë e re në 4 vitet e ardhshme.
 
Kompromisi kryesor i takon temave të taksave dhe emigrantëve. Për Merkelin,  pakti është fitore e madhe, sidomos pas rezultateve zgjedhore  dhe dështimit për të krijuar  koalicionin e parë në historinë gjermane me tre palë.
 
“Dokumenti që kemi përgatitur, nuk është një dokument sipërfaqësor , por tregon se po punojmë seriozisht për të krijuar kushtet për ne sot dhe për këtë  periudhë legjislative, që në Gjermani të jetojmë më mirë në  në 10-15 vitet e ardhëshme”, shprehet kryetarja e Unionit Kristian Demokrat Angela Merkel.
 
“Negociatat ishin të gjata e të ashpra, natën e fundit u bënë emocionuese, interesante, të turbullta në të gjitha mënyrat e mundshme, por edhe  me respekt të ndërsjellë për të cilin unë dua t'ju falënderoj", shprehet kryetari i parties Social Demokrate Martin Schulz.
 
Pavarësisht marrëveshjes mes liderëve, suksesi i saj do të konfirmohet ose jo më 21 janar, pas kongresit të socialdemokratëve që duhet të miratojnë koalicionin.
 
Pas zgjedhjeve, Socialdemokratet shpallën se ishin në opozitë, por tashmë Schulz duhet t’i shpjegojë delegatëve përse ndryshoi mendim.
 
SEVDIE OMEROVIÇ