Prishtina: Shmangni përshkallëzimin e situatës
Qeveria e Kosovës, kërkon nga autoritetet në Maqedoni që të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, konkretisht në këtë rast të mundësojë gëzimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore……….

Qeveria e Republikës së Kosovës, po i përcjell më vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni, ndërsa shpreh shqetësim për rritjen e klimës konfliktuale dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë sa më të qetë dhe të kujdesshme, për të shmangur me çdo kusht një përshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës.
Qeveria e Kosovës, kërkon nga autoritetet në Maqedoni që të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, konkretisht në këtë rast të mundësojë gëzimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
Qeveria e Kosovës, kërkon sigurimin e maksimumit të rigorozitetit dhe transparencës në proceset gjyqësore, në veçanti në rastin delikat që po trajtohet në Maqedoni , për të mos lënë kështu hapësirë që proceset gjyqësore të politizohen, apo të shërbejnë si bazë për kultivimin e urrejtjes ndëretnike.
“I bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të Republikës së Maqedonisë, që të veprojnë me maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ndjekur rrugën e dialogut dhe institucioneve për zgjidhjen e problemeve. Po ashtu, i ftojmë që të mos bien pre të provokimeve që vijnë prej segmenteve të caktuara, të cilët synojnë tensionimin e mëtejshëm të situatës dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Këto grupime ndjekin agjenda specifike që shkojnë ndesh me interesat kombëtare, prandaj ftohen qytetarët që të mos bashkëpunojnë me to, e të mos bien në ndikimin e tyre”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Andaj, sipas Qeverisë, të gjithë aktorët dhe faktorët e jetës publike në Maqedoni, duhet të vihen në veprim për të shtensionuar situatën dhe parandaluar degradimin në dhunë të protestave që planifikohen të organizohen ditën e premte.
Të gjithë duhet të punojmë që të ndërtojmë një frymë të paqes e bashkëpunimit në Ballkan, sepse rruga institucionale e dialogut dhe mirëkuptimit janë forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve në shoqëri, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës. (Merita Gashi, TVM2)
