Sulme të reja në Gaza, 5 fëmijë mes viktimave
Luftime të ashpra në rripin e Gazës. Banorët dhe zyrtarët vendas kanë thënë se dy shtëpi janë goditur në një zonë tepër të populluar në afërsi të qytetit Khan Younis…..

Luftime të ashpra në rripin e Gazës. Banorët dhe zyrtarët vendas kanë thënë se dy shtëpi janë goditur në një zonë tepër të populluar në afërsi të qytetit Khan Younis.
Deri tani, rreth 60 palestinezë kanë mbetur të vdekur, shumica prej tyre civilë, që prej fillimit të sulmeve të Izraelit, që kanë si për qëllim ndalimin e sulmeve me raketa në shtetin hebre nga Gaza bregdetare.
Mes të vdekurve ka edhe 5 fëmijë. Izraeli pretendon se më shumë se 200 raketa janë lëshuar nga persona të armatosur, të cilat nuk kanë shkaktuar viktima, por kanë paralizuar zonat jugore. Sulmet u kryen menjëherë pasi rreth 30 raketave, brenda një ore u lëshuan në hapësirat e qyteteve jugore izraelite, në të cilat nuk u raportua për viktima.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netaniahu, u zotua ta përforcojë mësymjen kundër lëvizjes islamike dhe atyre që i quajti organizata terroriste në këtë territor. Por edhe pse avionët e Izraelit vazhdojnë goditjen e objektivave në enklave, rritja e numrit të vdekjeve në radhët e palestinezëve dhe alarmi që ka dhënë komuniteti ndërkombëtar, lënë të kuptohet sipas “New York Times”, se nuk do të ketë një operacion ushtarak të shkallës së vitit 2008, që zgjati tre javë dhe e mobilizoi edhe këmbësorinë.
Qeveria izraelite po përballet aktualisht me kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian e Jordania, si dhe vetë presidenti palestinez, Mahmoud Abbas.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, bëri thirrje për frenim nga të dyja palët.
“Kjo është një prej sprovave më kritike, me të cilën rajoni është përballur gjatë këtyre viteve të fundit. Përkeqësimi i situatës po çon drejt një spiraleje dhune, e cila shumë shpejt mund të dalë jashtë kontrollit dhe Gaza nuk e përballon dot një luftë të mirëfilltë”, theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
Që prej ditës së shtunë, në Gaza janë vrarë 53 persona, ndërsa nga ana e Izraelit nuk ka asnjë humbje. Nisur nga numri i madh i viktimave në Gaza, Abaz deklaroi se Izraeli “po nis një luftë të vërtetë kundër popullit palestinez” dhe e akuzoi shtetin hebre për genocid. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
