Maqedoni
Dhuna e 27 prillit, apeli vendosi, asnjë nuk del nga paraburgimi
12.01.2018 17:20
Gjykata e Apelit hodhi poshtë ankesat e 11 të akuzuarve për dhunën e 27 prillit në Kuvend...

Apeli konfirmoi kështu vendimet e Gjykatës Themelore në Shkup,për mbetjen në paraburgim për të akuzuarit.
“Gjykata e Apelit në Shkup, solli vendim që të refuzojë si të pabaza, të gjitha ankesat e të dyshuarve dhe shpall vendimet e Gjykatës Themelore Shkupi 1 në lidhje me ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të 2017-s, për Oliver Popovski, Goran Gjoshevski, Vllado Jovanovski, Mitko Çavkov, Igor Durllovski, Munir Pepiq, Dushko Llazarov, Mitko Peshov, Oliver Raudllov, Bogdan Ilievski dhe Ilija Sllaveski”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Ende nuk ka asnjë vendim për 7 ankesat e tjera. Ndonëse prokuroria e Lartë kërkoi, Apeli t’ia anulojë paraburgimin aktorit Vlado Jovanovski, edhe ky i fundit mbetet në burgun hetues të Shutkës. Gjykatësit nuk e pranuan Propozimin për masë më të butë. Është arrestuar ndërkohë Mlladen Dodevski, një nga personat e kërkuar me fletëarrest ndërkombëtar, pasi është pjesë e grupit të personave në arrati, që akuzohen për rrezikim të sigurisë dhe rendit kushtetues të Maqedonisë.
Gjykatësi hetues ia shqiptoi edhe zyrtarisht masën e paraburgimit Dodevski, sipas hetimit, është njëri nga dhunuesit e maskuar, të cilët më 27 prill, hynë në Kuvend. Bashkë me të, Interpoli po kërkon edhe Aleksandar Vasilevskin – Ninxha, Nikolla Mitrevskin – Kolo, Dejan Davidovskin dhe Mitre Pitropovskin.
Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1 më 27 dhjetor, vazhdoi masën e paraburgimit për 29 persona, 23 do të vazhdojnë edhe këtë muaj të rrinë në paraburgim, katër personave u është vazhduar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa dy të akuzuarve, masa e paraburgimit u është ndërruar me arrest shtëpiak. Për vazhdimin e paraburgimit për të dyshuarit e 27-prillit janë dorëzuar 16 ankesa në Gjykatën e Apelit.
ERSAN PAJAZITI
