Maqedoni

Kompenzimet për udhëtim të funksionarëve, LSDM propozon shkurtimin e kompenzimeve 50%

12.01.2018 17:57

Keqpërdorimeve me kompensimet për udhëtim nga ana e zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar, siç duket, po u vjen fundi...

Grupi parlamentar i LSDM-së, parashtroi në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për deputetë dhe Ligjit për rroga dhe kompensime të tjera të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar me të cilat propozohet zvogëlim i kompenzimit për shpenzime rrugore për shfrytëzimin e automjetit personal për qëllime zyrtare dhe mënjanimin e mundësive për keqpërdorime.    
 
“Intenca e deputetëve nga LSDM-ja është që ky kompensim që e marrin deputetët të ulet sëpaku përgjysëm, përkatësisht lartësia prej 30% të ulet në 15% nga çmimi i një litër karburant për çdo kilometër. Për këtë qëllim kemi përgatitur edhe propozim vendim me të cilin më konkretisht rregullohet mënyra e pagesës së kompensimit për shpenzimet e rrugës dhe me këtë propozim vendim propozojmë që lartësia e kompensimit të përgjysmohet, përkatësisht të zvogëlohet nga 30 në 20%”, tha Tomisllav Tuntev, kordinator i LSDM-së.
 
Për të mënjanuar mundësitë për keqpërdorime, propozohet që pagesa për rrugë të bëhet me kartelë në pronësi të funksionarit.
 
“Propozojmë që pagesa të behët vetëm përmes faturave fiskale për pagesë rrugore të paguar ekskluzivisht me kartelë kteditore ose debitore në pronësi të deputetit. Përkatësisht përmes vërtetimeve për transakcion të kryer me kartelë do të dëshmohet se deputeti e ka bërë vet pagesën rrugore”, shtoi Tuntev.
  
Ky propozim vendim do t’i dërgohet Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve menjëherë pas miratimit të dy ligjeve të lartëpërmendura. Propozuesit presin mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvend, përfshi edhe opozitën, e cila për momentin nuk merr pjesë në punimet e Parlamentit. Propozim ligjet pritet të vihen në rrend dite në seancën e parë që do të caktohet nga kryeparlamentari për muajin janar ose, më së voni, brenda 20 ditë pune. 
 
SHPËTIM NUREDINI