Shkodër, 7 të plagosur si pasojë e një shpërthimi me tritol

13.01.2018 15:22

7 persona kanë mbetur të plagosur mëngjesin e sotëm në lagjen “Rus”....

7 persona kanë mbetur të plagosur mëngjesin e sotëm në lagjen “Rus” të Shkodrës si pasojë e një shpërthimi me tritol.

6 nga të plagosurit në mesin e të cilëve një shtetas I Malit të Zi ishin kalimtarë të rasti, pasi siç sqaroi  policia shënjestra e këtij atentati ishte Lulzim Kulla, 42 vjeç, i cili ka marrë plagë të rënda dhe pasi mori ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, u dërgua urgjent me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për një mjekim më të specializuar.

Mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Dy nga të plagosurit janë dërguar për trajtim në Spitalin e Tiranës pasi kanë marrë lëndime të rënda.

Sipas policisë, lënda shpërthyese ishte vendosur në një motor që ishte parkuar midis dyqanit dhe makinës së objektivit dhe shpërthimi ka ndodhur i telekomanduar.

Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët, pasi ka ndodhur në një nga zonat më të populluara të qytetit, në afërsi të tregut.