Veseli, qëndrojmë pas obligimeve për gjykatën speciale
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar të shtunën një takim....

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar të shtunën një takim me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.
Në një komunikatë për media të leshuar nga zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, thuhet se Veseli në takim ka theksuar se Kosova do t’u qëndrojë pas obligimeve për Gjykatën Specialen.
“Kosova do t’u qëndrojë obligimeve te veta ndërkombëtare deri në fund, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, do të ndjekë agjendën e integrimeve euroatlantike, dhe në këtë rrugëtim partneriteti me SHBA-të do të mbetet primar”, citohet të ketë thënë Veseli.
Më 22 dhjetor, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës pati ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e kësaj gjykate. Masa nuk ka kaluar, për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend, por është thënë se ajo do të sillet sërish në seancë.
Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar kundër, duke i ftuar autoritetet kosovare të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo rinegocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Gjykatën e Posaçme.
Kjo Gjykatë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që, siç thuhet, “i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000”.
