IPA FONDE

Shfrytëzimi i fondeve IPA për ruajtjen e ambientit

10.07.2014 17:38

Menaxhimi me ujërat e ndotura dhe me mbeturinat në nivel lokal, janë të domosdoshme për krijimin e një ambienti të pastër……

Menaxhimi me ujërat e  ndotura dhe me mbeturinat  në nivel lokal, janë të domosdoshme për krijimin e një ambienti të pastër.

Në këtë drejtim, veç më kanë filluar disa projekte që kanë të bëjnë me zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjeteve kanalizuese.

Ministria e Ambientit Jetësor, misioni i  BE-së dhe organizatat  joqeveritare janë takuar sot për të diskutuar përgatitjen e projekteve konkrete dhe detyrimet e komunave në lidhje me mirëmbajtjen e infrastrukturës së ndërtuar nga IPA fondet.

“Deri në fund të vitit 2017, planifikohet realizimi i projekteve ndërtimore për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimit në Kumanovë, Berovë dhe zgjerimin e sistemit të kolektorit dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimit, prioritet për Ohrin dhe Strugën. Njëkohësisht, planifikohet ndërtimi i stacioneve për pastrim në Strumicë, Radovish, Kërçovë, si dhe mbindërtimi i stacionit për pastrim në Vranisht, Strugë, që është shumë i rëndësishme për mbrojtjen e liqenit të Ohrit”, deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor, Nurhan Izairi.

“Me rëndësi është që të kemi mjedise dhe liqene të pastra. Unë e di se implementimi i këtyre projekte nuk është aq i lehtë, mirëpo me përkushtim dhe angazhim më të madh, mund të arrihet ky qëllim. Filtrimi i ujit të pijshëm dhe pastrimi i ujërave të  zeza, janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, theksoi Martin Klaucke nga delegacioni i BE-së  në Maqedoni.

Për 2007-2013, përmes IPA fondeve janë parashikuar rreth 92 milion euro, që kanë të bëjnë me përgatitjen e dokumentacionit  dhe ndërtimin e infrastrukturës  për menaxhimin e ujërave dhe mbeturinave. Ndërsa në kuadër të IPA 2, për 2014 -202 po planifikohet zgjerimi i rrjetit të kanalizimit në Shkup. (Rexhep Qamili, TVM2)