Miratohen zëvendësministrat
Me 71 vota pro dhe 1 kundër, Kuvendi zgjodhi 15 zëvendësministrat të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeverisës të drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski……

Me 71 vota pro dhe 1 kundër, Kuvendi zgjodhi 15 zëvendësministrat të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeverisës të drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski.
9 prej tyre janë riemëruar për një mandat të dytë, ndërsa 6 prej tyre vijnë si emra të rinjtë, përfshirë edhe 2 kandidatët e BDI-së, Arben Llabënishta, që është emëruar zëvendësministër i mbrojtjes dhe Nimetulla Halimi, në Ministrinë e Pushtetit Lokal.
Kryeministri Gruevski, në elaborimin e tij, theksoi se bëhet fjalë për persona të cilët janë të gatshëm të investojnë diturinë dhe përvojën e tyre në realizimin e programit të Qeverisë.
“Të gjithë janë të gatshëm ta investojnë maksimumin e tyre, diturinë, kapacitetet kreative dhe përvojën e tyre dhe të ndihmojnë në realizimin e programit të Qeverisë. Mendoj se me kapacitetin dhe përvojën e tyre, do të japin kontribut serioz në realizimin e programit të Qeverisë”, deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Për dallim nga hera e kaluar, kur deputetët e PDSH-së morën pjesë në seancë plenare, kur Kuvendi zgjodhi ministrat, kësaj radhe ata kanë përzgjedhur foltoren e pres-qendrës për të lëshuar akuza në drejtim të tyre.
“Përveç përmbushjes së interesave grupore dhe klanore, BDI vazhdon 10 vite t’i interesojë vetëm akomodimi nëpër kolltukët qeveritarë, çdo gjë tjetër nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e preokupimit të tyre”, tha Bekim Fazliu nga PDSH.
Akuzave të Bekim Fazliut iu është përgjigjur Talat Xhaferi nga BDI, duke i hedhur poshtë dhe si të pabaza në lidhje me procedurat për zgjedhjen e zëvendësministrave.
“Në çdo akuzë paraprake që është bërë, kemi vërtetuar se kemi përcjellë në kontinuitet atë çka është kërkesë, interes i shqiptarëve në RM-së. Shqiptarëve në RM-së mund t’u them që edhe kësaj radhe BDI do të vërteton se përcjell dhe ndjek me ndërgjegjshmëri dhe përgjegjshmëri çdo lëvizje që ka të bëjë me interesin e shqiptarëve në RM-së”, theksoi Talat Xhaferi nga BDI.
Ndryshe, sot Kuvendi verifikoi mandatin e Kaltrina Azizit, e cila vjen në vend të Shkodrane Dardhishtës, e cila ditë më parë dha dorëheqje nga posti i deputetit. (Naim Ramadani, TVM2)
FOTO: mia.mk
