Mardhëniet Maqedoni-Bullgari, ratifikohet marrëveshja për fqinjësi të mirë

15.01.2018 16:38

Me “61” vota për dhe “1” të përmbajtur kuvendi ratifikoi marrveshjen për fqinjësi të mirë....

Me “61” vota për dhe “1” të përmbajtur kuvendi ratifikoi marrveshjen për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, njofton “TVM2”.

Ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov para deputetëve tha se kjo marrveshje dërgon mesazhe të qarta për sjellje evropiane në rajon duke shtuar se nuk është në kundërshtim me interesat nacionale të shtetit.

“Me marrëveshjen dy palët po japim sinjal se edhe në rajonin tone mund të sillemi në mënyrë evropiane. Marrëveshja i ngërthen interesat më të rëndësishme të palës sonë dhe interesat e palës bullgare” – tha ministri i jashtëm i R.M-së, Nikolla Dimitrov.

Opozita maqedonase bojkotoi seancën ndërkaq shumica doli me qëndrim se marrveshja forcon lidhjet midis dy vendeve. Por derisa LSDM votoi pro marrëveshjes, deputeti i saj Ferid Muhiq, u shpreh i përmbajtur, sepse sipas tij, marrëveshja bën lëshime dhe se nuk është simetrike përballë të dy shteteve.

“Me mbylljen e çështjeve të hapura me fqinjët tanë, karakteri unitarë i shtetit, tërësia teritoriale, rregullimi kushtetues i Maqedonisë, sovraniteti i plotë, siguria dhe stabiliteti i Maqedonisë bëhen të pacënueshme” – u shpreh Artan Grubi nga rradhët e BDI-së.

“Në parim marrëveshjet për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim bëhen mbi parimin e reciprocitetit dhe janë simetrike. Më duhet të them se kjo marrëveshje nuk bën pjesë në këtë standard, nuk është krijuar mbi parimin e reciprocitetit dhe nuk është tërësisht simetrike” – tha Ferid Muhiq nga LSDM.

VELIKOV PREZENTON PRIORITETET E SOFJES, ZHBOGAR KËRKON REZULTATE KONKRETE

Ratifikimi i marrëveshjes vjen në kohën e kryesimit Bullgar me Këshillin e BE-së. Ambasadori i Bullgarisë Ivan Velikov prezentoi prioritetet bullgare, duke potencuar se Sofja mbështet  integrimin euroatlantik të Maqedonisë.

Euroambasadori Zhbogar kërkon rezultae ndërsa zv kryeministri Osmani thotë se pjesë e rezultateve duhet të jenë të gjithë.

“Bullgaria mbështet perspektivën evropiane dhe përpjekjet e qeverisë Zoran Zaev, sektorit civil dhe opozitës për arritjen e qëllimeve strategjike. Të përmbushen gjatë kryesimit të Bullgarisë kushtet e domosdoshme për marrjen e ftesës për fillimin e negociatave për antarsimin në EU” – tha Ambasadori i Bullgarisë, Ivan Velikov.

“Nuk pritet vetëm përmbushja e pritshmërive,jo vetëm harmonizimi i legjislacionit por të deponohen rezultate të dukshme. Përparimi do të notohet sipas implementimit të marrveshjes së Përzhinës dhe reformat prioritare dhe fqinjsisë së mirë” – u shpreh Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.

“Janari dhe shkurti janë muaj kur të gjithë ne duhet të tregojmë rezultate të dukshme, qeveria, kuvendi, gjyqsori edhe atë në një proces ku të gjitha palët duhet të jenë pjesë e ndërtimi të së ardhmes sonë. Çdo lloj obstrukcioni të procesit në këto momente vendimtare nga kush do qoftë për çfardo lloj arsye paraqet obstrukcion të ardhmes sonë” – deklaroi zv.Kryeministri, Bujar Osmani.

Sipas shumicës parlamentare , Bullgaria mund të ndihmojë në afrimin e vendeve të rajonit drejt BE-së dhe kryesimi i saj me këshillin e BE-së, paraqet një shancë për Maqedoninë në rrugën e saj euroatlantike. (Naim Ramadani, TVM2)