OSBE dhe rasti “Monstra”
Organet gjyqësore janë të pavarura, por në rast se autoritetet gjyqësore konsiderojnë se OSBE-ja mund të kontribuojë në përmirësimin e procedurave të tyre, atëherë OSBE-ja në Shkup do të shqyrtojë mundësitë në këtë drejtim…..

Organet gjyqësore janë të pavarura, por në rast se autoritetet gjyqësore konsiderojnë se OSBE-ja mund të kontribuojë në përmirësimin e procedurave të tyre, atëherë OSBE-ja në Shkup do të shqyrtojë mundësitë në këtë drejtim.
Kështu ka deklaruar në përgjigjen me shkrim ndaj pyetjeve të MTV2, ambasadori i OSBE-së në Shkup, Ralf Breth, i cili është pyetur se nëse OSBE-ja do të dalë me vlerësim të sajin pas gjithë vëzhgimit të procesit gjyqësorë për rastin “Monstra” dhe nëse do tu përgjigjet pozitivisht zërave, të cilët kërkojnë inkuadrim të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar në këtë proces gjyqësorë, si pasojë e asaj që qytetarët shqiptarë kanë humbur besimin te organet gjyqësore të vendit.
“Është e vërtetë se misioni i OSBE-së në Shkup ka monitoruar vazhdimisht gjykimin lidhur me vrasjen afër liqenit të Smilkovcit. Procedura e monitorimit nuk përfshin dhënien e vlerësimit publik lidhur me rezultatin e gjykimit. Duke marrë parasysh pavarësinë e gjyqësorit që është e garantuar me Kushtetutë, OSBE-ja nuk ka ndërmend të ndërhyjë në procesin gjyqësorë. Në rast se autoritetet gjyqësore konsiderojnë se OSBE-ja mund të kontribuojë në përmirësimin e procedurës gjyqësore të apelit, misioni i OSBE-së në Shkup do të shqyrtojë të gjitha mundësitë në këtë drejtim”, deklaroi ambasadori i OSBE-së në Shkup, Ralf Breth.
Gjatë procesit gjyqësorë për rastin “Monstra”, për të cilin Gjykata e Apelit në Shkup i dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë, familjarët e të akuzuarve, por edhe qytetarët shqiptarë kanë shprehur mosbesim te organet gjyqësore në vend.
Madje edhe ekspertët juridik dhe ato politik, kanë bërë thirrje të vazhdueshme për monitorim dhe inkuadrim të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar në procedurën gjyqësore për rastin “Monstra”, për çka është shprehur skepticizëm për drejtësi në sistemin e drejtësisë, kur bëhet fjalë për shqiptarët. (Mefail Ismaili, TVM2)
