Maqedoni
Ademi: Reforma në fakultetet pedagogjike
10.07.2014 18:00
Reforma të programeve mësimore në fakultetet pedagogjike, për shkak të avancimit të cilësisë së kuadrit mësimdhënës...

Reforma të programeve mësimore në fakultetet pedagogjike, për shkak të avancimit të cilësisë së kuadrit mësimdhënës, si dhe përmirësim të rolit të arsimtarit në shoqëri, paralajmëroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, gjatë takimit me dekanët e fakulteteve pedagogjike në vend.
Reformat do të përfshijnë edhe kritere më të larta për regjistrim në fakultetin pedagogjik, ku nota mesatare parashihet të jetë mbi 4.
“Në fakultet pedagogjike, në të ardhmen, nëpërmjet dhënies së provimit pranues, do të mund të regjistrohen studentët që kanë notën mesatare në shkollë të mesme mbi 4. Në këtë projekt përfshihet edhe stimulimi i studentëve për fakultetet pedagogjike nëpërmjet dhënies së bursave për studentët më të mirë, por edhe rritjes në kontinuitet të pagave për arsimtarët, riedukim i arsimtarëve jashtë vendit dhe gjatë studimeve për 1 vit, do të mund tu ruhet edhe vendi i punës”, deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Planifikohet edhe hapja e Akademisë për Mësimdhënës, e cila do të ketë për qëllim përmirësimin e cilësisë së kuadrit mësimdhënës.
“Për të qenë arsimtar, duhet të kalojë dhe të licencohet si arsimtar dhe në momentin e regjistrimit në Akademi, do të llogaritet si i punësuar arsimor, do të ketë rrogë dhe do të garantohet vendi i punës”, theksoi Ademi.
Dekanët u dakorduan për selektimin e nxënësve gjatë regjistrimit në këtë fakultet.
“Hyrja dhe dalja do duhet të jenë të balancuara, nëse hynë studentë të mirë, do të dalin të mirë, por edhe me revidimin e planeve dhe programeve studimore”, tha dekani i Fakultetit Filozofik, Fatbi Osmani.
Studimet e reformuara, pritet të fillojnë vitin e ardhshëm akademik, ndërsa fakultete pedagogjike do të ketë vetëm në kuadër të Universiteteve Shtetërore.
FLUTURA LATIFI
