Botë
Përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë në Ukrainë
17.01.2018 10:25
Policia dhe protestuesit janë përleshur afër Parlamentit të Ukrainës, ku pritej të shqyrtohej legjislacioni...

Policia dhe protestuesit janë përleshur afër Parlamentit të Ukrainës, ku pritej të shqyrtohej legjislacioni për “integrimin e sërishëm” të rajoneve, që janë nën kontroll të separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Përleshjet filluan pasi protestuesit ndezën goma dhe dogjën flamurin e Rusisë, afër ndërtesës së parlamentit dhe një tende, e cila ishte ngritur nga protestuesit kundër qeverisë gjatë vitit të kaluar.
Policia e kryeqytetit të Kievit më herët kishte njoftuar se 3,800 policë ishin në gatishmëri pranë ndërtesave të qeverisë dhe parlamentit, para se të fillonte debati në parlament për këtë ligj.
Demonstruesit dëshirojnë që ligjvënësit të miratojnë këtë legjislacion për “riintegrim”, ku përfshihet edhe fjalia se Rusia është agresore.
Rusia i mbështet separatistët, që i kanë nën kontroll pjesë të rajoneve Luhansk dhe Donjeck, në pjesën lindore të Ukrainës, që prej vitit 2014.
