Botë

Vrasja e Ivanoviqit, Serbia do të jetë pjesë e hetimeve, Haradinaj: Po na u desh ndihmë, thërasim FBI-në

17.01.2018 14:46

Policia e Kosovës po heton në mënyrë intensive për zbardhjen e vrasjes së politikanit serb në veri të Mitrovicës Oliver Ivanoviç...

Po analizohen video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë në vendin e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e ngjarjes, si dhe dëshmitë tjera materiale.
 
Është kryer edhe obduksioni I trupit të pa jetë , policia ka marrë në pyetje dëshmitarët, ka identifikuart veturën e djegur Opel Astra e cila dyshohet të jetë e përfshirë në këtë rast, si dhe po hetohen lëvizjet dhe pronarët e saj.
 
Të gjitha aktivitetet kryen nën autoritetin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Policia e Kosovës paralelisht me veprime hetimore ka shtuar praninë policore në disa lokacione të identifikuara si të ndjeshme, me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti. S
 
erbia ndërkohë,  ka kërkuar zyrtarisht që të përfshihet në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit. Kërkesa e Ministrisë serbe të Drejtësisë tashmë ka arritur në Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës, përmes zyrës së BE-së në Beograd.
 
Por Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas mbledhjes së mbrëmshme të këshillit për siguri Kombëtare ka kërkuar nga Serbia që të mos tentojë të përfitojë politikisht nga kjo vrasje dhe ka theksuar se nëse ka nevojë,  policia e Kosovës do të kërkojë ndihmën e FBI-së.  
 
“Ky krim është rezultat i involvimeve ilegale që ndodhin në Veri nga instanca jashtë vendit. Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me plot organizata, dhe nëse ka nevojë për ndihmesë,  do ta ftojmë FBI-në”, theksoi kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.   
      
 Mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigja e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, rreth përfshirjes së Serbisë në këto hetime.
 
Por ai  paraprakisht  për mediat në Kosovë ka përjashtuar mundësinë që organet e Beogradit të jenë pjesë e hetimeve.
 
GYLTENE SINANI