Maqedoni

Osmani – Bushati: Shqipëria ndihmë Maqedonisë për aderim në NATO

17.01.2018 16:24

Viti 2018 do të jetë vit përcaktues për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë...

Është ky konkluzioni I konferencës për shtyp mes ministrit të jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe zv.kryeministrit për cështjet e integrimit në Maqedoni Bujar Osmani. Bushati gjatë fjalës së tij ofroi ndihmën diplomatike të Shqipërisë për aderimin e Maqedonisë në NATO, ndërsa vlerësoi miratimin e ligjit të gjuhëve dhe dialogun me Greqinë.
 
Osmani tha se pret ftesë për anëtarësim në NATO gjatë samitit të Sofjes, ndërsa theksoi se streategjia e Europës për Ballkanin Perëndimor nuk mund të jetë e besueshme pa Shqipërinë dhe Maqedoninë.
 
“Duam qartë të nënvizojmë se nuk ekziston kredibilitet i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, pa perspektiva të qarta për progres të integrimeve evropiane për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Maqedonia dhe Shqipëria meritojnë vend të përshtatshëm në Strategjinë e Komisionit Evropian, lajmëruar nga Presidenti Junker, e cila pritet të publikohet në fillim të muajit shkurt”, tha Bujar Osmani, zv kryeministër për eurointegrime.
 
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Osmani u takua me presidentin e Republikës, Ilir Meta, me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kreun e opozitës Lulzim Basha. Në fokus të bisedave të zhvilluara mes tyre, ishte bashkëpunimi mes dy vendeve dhe miratimi i ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe ne institucionet shtetërore të Maqedonisë.
 
LULJETA NDOKA