Nimic: Termi “Maqedoni”, patjetër pjesë e propozimeve

17.01.2018 16:54

Termi “Maqedoni” do të jetë pjesë e propozimit për zgjidhje të kontestit të emrit....

Termi “Maqedoni” do të jetë pjesë e propozimit për zgjidhje të kontestit të emrit sepse këtë term e kanë pranuar më shumë se 100 vende të botës.

Kështu ka deklaruar për Televizionin grek TV Antena mediatori i Kombeve të Bashkuara Metju Nimic para raundit të ri të bisedimeve mes Athinës dhe Shkupit në Nju Jork.

“Duhet të jemi realistë. Aktualisht, emri i vendit është Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, që do të thotë se emri Maqedonia është në emër të Kombeve të Bashkuara dhe njihet nga Greqia me këtë emër. Mbi 100 vende e njohën vendin si Republika e Maqedonisë, që do të thotë emrin Maqedoni. Për shumë vende, Maqedonia është e lidhur me këtë vend dhe mendoj se mund të gjejmë një zgjidhje që do t'i plotësojë kërkesat greke dhe do të kënaqë popullin e fqinjit verior " – wshtw shprehur, ndërmjetësi i OKB-së për emrin, Metju Nimic.

Gjithsesi  Përfaqësuesi Special i Kombeve të Bashkuara konsideron se është krijuar një atmosferë pozitive, me më pak tensione dhe pa komente kritike, prandaj konsideron se mund të  gjendet një zgjidhje e mundshme.

“Siç thashë në një intervistë disa javë më parë, nuk ka magji këtu, askush nuk do të zbulojë ndonjë gjë të re. Nëse do të kishte një gjë të tillë, do ta kishim gjetur shumë vite më parë. Njerëzit në Athinë, Shkup dhe OKB nuk janë të njëjtë, kështu që është një kombinim. Por unë mendoj se në rrethana aktuale, njerëzit do të shikojnë ide të ndryshme në një mënyrë të re” – deklaroi, Metju Nimic.

Takimi në Nju Jork është i pari këtë vit,  ndërmjetësi ka paralajmëruar  tashmë edhe takime të reja për shkurt dhe mars. Ai këmbëngul për të shtuar  dinamikën e  bisedimeve dhe për të përfituar nga momenti i favorshëm. (Gazmend Kurtishi, TVM2)