Futboll

Argjentina në finalen kundër Gjermanisë

10.07.2014 19:15

Argjentinë-Gjermani, kjo është finalja e botërorit të Brazilit që do luhet të dielën në Marakana...

Argjentinë-Gjermani, kjo është finalja e botërorit të Brazilit që do luhet të dielën në Marakana. Emri i finalistit të dytë u mësua vetëm pas ekzekutimit të penalltive pasi sfida mes amerikano-jugorëve dhe Holandës nuk solli fitues edhe pas 120 minutave lojë.

Kësaj radhe në portën e “tulipanëve” nuk ishte Tim Krul, ndërsa Silesen nuk u tregua i dobishëm sa Romero që mbrojti dy penallti. Tekniku holandez u mundua të ndryshojë edhe lojtarët që do gjuanin penalltitë, duke nxjerr të parin mbrojtësin Vlar që e nisi mbrapsht, pasi portieri argjentinas ia ndali.

Në Anën tjetër, katër herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Mesi bëri gjithçka mirë duke çuar në epërsi Argjentinën. Rezultati u barazua me Roben, ndërsa Garaj shënon për skuadrën e Sabejës. Penalltinë e tretë e morri përsipër Uesli Shanjder, por ish-lojtari i Interit dështoi, ndërsa në penalltinë pasardhës të Argjentinës, sulmuesi i Sitit , Serxhio Aguero shënoi për epërsinë prej dy golash 1-3.

Dirk Kajt mbajti shpresat gjallë për “tulipanët” me golin e dytë për të tijtë, por gjithçka u mbyll me Maksi Rodrigez gjuajtjen e fuqishme të të cilit nuk e ndali dot Silesen, edhe pse arriti ta devijonte.


Për ndryshim nga gjysmëfinalja e parë ndërmjet Brazilit dhe Gjermanisë, ku vetëm pas 30 minutave ishin shënuar plot pesë gola, në takimin ndërmjet Argjentinës dhe Holandës skuadrat ishin të fokusuara më shumë në mbrojtje duke pritur njëra-tjetrën në zonën e tyre.

Rasti i parë dhe i vetëm në 45 minutat e para ishte ai i yllit të Barcelonës, Lionel Mesi ku në minutën e 15-të tenton të mposht porterin holandez me një goditje dënimi, por Silesen u tregua shumë i sigurtë.

Holanda që kishte luajtur 120 minuta edhe në ndeshjen çerekfinale dukej më e lodhur dhe me një Roben që nuk vraponte shumë, sikurse në sfidat tjera, ndërsa Van Persi nuk krijonte hapësira. Argjentina nuk dëshironte të rrezikonte duke dalë përpara, prandaj preferonte që të qestëonte lojën.

E njëjta situatë edhe në pjesën e dytë dhe dëshmia më e mirë për këtë janë gjuajtjet në portë, skuadrat rrezikuan vetëm nga tre herë në 45 minutat e dyta. Sabeja futi në lojë edhe dy sulmuesit Palasio dhe Aguero, por lojtari i Interit dukej se bënte më shumë rolin e mesfushorit.

Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Arjen Roben kishte mundësi të mbyllte ndeshjen, por gjuajtjen e sulmuesit të Bajernit e ndali Maskerano, i cili gjatë ndeshjes trembi argjentinasit pasi një dueli me një lojtar holandez ku mbeti i shtrirë në tokë.

Edhe shtesat dy herë nga 15 minuta nuk nxorën një fitues, madje në të parën nuk u regjistrua asnjë rast duke detyruar Van Galin që të bëjë freskime në sulm, pasi zëvendësoi Van persin me Huntelar. Në minutën e 116-të vjen rasti më i mirë për Argjentinën me Rodrigo Palasio i cili gjendet i papenguar përballë portierit të Holandës, por gjuajtjen me kokë të tij e pret Silesen. Dy minuta më vonë edhe Maksi Rodrigez kishte një mundësi të artë, ku pas një depërtimi të Mesit nga e djathta topi i arrin atij, por gjuan dobët. Pas kësaj, emri i finalistit të dytë u mësua pas gjuajtjeve të penalltive ku më e mirë u tregua Argjentina.