Vendimi i Ivanov, reagon Qeveria: Me ligjin për gjuhët fitojnë qytetarët dhe shteti

17.01.2018 20:02

Pas vendimit të Ivanovit, për të mos nënshkruar Ligjin e gjuhëve, ka reaguar Qeveria....

Pas vendimit të Ivanovit, për të mos nënshkruar Ligjin e gjuhëve, ka reaguar Qeveria e cila përkujton presidentin se e drejta e qytetarëve që të flasin në gjuhën amëtare, është e drejtë me të cilën fitojnë  të gjithë qytetarët, fiton edhe Republika e Maqedonisë.

“Qeveria  shpreh keqardhje për vendimin e Presidentit, Gjorge Ivanov, për të mos e nënshkruar Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Me këtë rast duam edhe një herë të theksojmë se të gjitha dispozitat në zgjidhjen ligjore për përdorimin e gjuhëve, janë në pajtueshmëri më amendamentin e 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Me Ligjin për gjuhët , ne avancojmë përdorimin e gjuhëve të të gjitha bashkësive në Republikën e Maqedonisë.  Motivi për sjelljen e këtij ligji është kujdesi ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në të cilën ndërtojmë shoqëri të barabartë për të gjithë. Ky është kocept në të cilin beson fuqishëm kjo Qeveri dhe të cilin do të vazhdojmë edhe më tej ta avancojmë. Me këtë Ligj do të zgjerohet përdorimi i gjuhës zyrtare të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve, që do të thotë , se Ligji në pajtueshmëri me këtë,  e zgjeron përdorimin e gjuhëve në institucione dhe do t’u mundësojë qytetarëve të komunikojnë me institucionet e shtetit në gjuhën e tyre amtare. Qeveria e RM-së është përcaktuar për politika të cilat e ndërtojnë RM-në si shtet qytetar i të gjithëve që jetojnë në të: Maqedonas, Shqiptarë, Turq, Serb, Vlleh, Rom, Boshnjak dhe të gjitha bashkësitë tjera”, - thuhet në reagimin e Qeverisë.