Maqedoni

Besimtarët ortodoksë festojnë Ditën e Ujit të Bekuar

19.01.2018 10:45

Besimtarët ortodoksë sot e festojnë Ditën e Ujit të Bekuar, e cila ka një traditë prej shekullit të dytë të erës sonë...

Kjo datë është e ndërlidhur me pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan nga ana e Shën Gjonit, i cili prej atëherë njihet si Gjon Pagëzuesi.
 
Tradicionalisht, në lumenjtë hidhen kryqe, ndërsa ai që kap kryqin e shenjtë, besohet se do ta ndjekë fati dhe mirëqenia gjatë gjithë vitit.
 
Kapja e kryqit do të thotë bashkim i njeriut me Krishtin, ndërsa besohet se me lëshimin e kryqit ujërat shenjtërohen dhe bëhen të shërueshme.
 
Si edhe gjatë viteve të kaluara, në mënyrë masovike festa pritet të jetë në dy qytetet kryesore, Ohër dhe Shkup.
 
Në Shkup janë paraqitur 150 qytetarë për pjesëmarrje në manifestimin “Uji i Bekuar 2018”.
 
Manifestimi kryesor në Shkup do të mbahet në mesditë kur argjipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë do ta hedhë kryqin në lumin Vardar.