Siri, forcat turke sulmojnë luftëtarët kurdë
Forcat e Armatosura të Turqisë kanë goditur me artileri objektivat.....

Forcat e Armatosura të Turqisë kanë goditur me artileri objektivat e organizatës kurde PYD/PKK në Afrin.
Trupat kufitare turke në qarqet Kirikhan dhe Hassa të Hatayit, qytet në pjesën jugore të Turqisë, kanë bërë të paktën 10 gjuajtje në caqet organizatës kurde që turqia e llogarit si terroriste.
Ministri turk i mbrojtjes Nurettin Canikli, konfirmoi se Turqia e ka filluar operacionin ushtarak kundër luftëtarëve kurdë, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, në rajonin Afrin në Siri.
Sipas tij, Ankaraja nuk kishte “opsion” tjetër dhe duhet t’i “pastrojë të gjitha elementet terroriste” nga pjesa veriore e Sirisë, në kufi me Turqinë.
Ministri Canikli tha se Ankaraja dhe Moska do të “vazhdojnë” të bisedojnë për operacionin ushtarak.
Edhe Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım deklaroi se Turqia nuk do të tolerojë asnjë formacion që paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit.
“Kjo është e drejta jonë e natyrshme. Kjo është diçka që e kemi të garantuar me ligjet tona por edhe ato ndërkombëtare. Qëllimi ynë është eliminimi i plotë i terrorizmit në rajon, apo të mos lejojmë që popullit të vuajtur me vite, t'u shtohen vuajtje të reja", ka thënë Yildirim.
Edhe një zëdhënës i Njësiteve Popullore Kurde (YPG), ka konfirmuar se forcat turke pas mesnatës kanë filluar hedhjen e predhave në rajonin Afrin në Siri nga territori i Turqisë.
Sipas tij forcat turke i kanë marrë në shënjestër fshatrat kurde, dhe se pjesëtarët e YPG-së do të “përgjigjen me forcë maskimale” ndaj çfarëdo sulmi në Afrin.
Presidenti turk Erdogan, kishte paralajmëruar në mënyrë të përsëritur një reagim ndaj ushtrisë amerikane, pas zërave se Uashingtoni do të ndihmonte Forcat Demokratike të Sirisë (SDF) të udhëhequra nga milicia kurde e YPG, me 30,000 trupa.
Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson mohoi se SHBA-të kishin ndonjë qëllim për të ndërtuar një forcë kufitare siriane dhe turke dhe thanë se çështja është përshkruar gabimisht dhe është keqpërdorur.
“Disa njerëz gabuan. Ne nuk po krijojmë fare një forcë sigurie kufitare. Unë mendoj se është për të ardhur keq që komentet e bëra nga disa e lënë atë përshtypje. Kjo nuk është ajo që po bëjmë.” - tha Sekretari i Shtetit amerikan, Rex Tillerson.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare te Turqisë ka deklaruar se Turqia nuk do të lejonte formimin e një “ushtrie terroriste” përgjatë kufijve të saj. (Sevdije Omeroviq, TVM2)
