Nismë në SHBA, të ashpërsohet marrëveshja atomike me Iranin

19.01.2018 19:49

Në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara....

Në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara është propozuar një legjislacion me të cilin synohet ashpërsim i kushteve në marrëveshjen atomike me Iranin, përkundër kundërshtimit të ndryshimeve të marrëveshjes nga ana e palës iraniane.

Ky propozim-legjislacion është paraqitur nga republikani, Peter Roskam, dhe është mbështetur nga Liz Cheney, po ashtu, republikane. Ky propozim “e qartëson atë që çdo marrëveshje efektive do të duhej ta përmbante”, tha Cheney.

Sipas saj, marrëveshja me Iranin duhet “së paku, ta autorizojë inspektimin çdokund dhe në çdo kohë, përfshirë inspektimet e kapaciteteve ushtarake, pastaj zbulimin e aktiviteteve të kaluara dhe aktuale atomike ushtarake dhe civile, ndalimin e pasurimit në shkallë të armatimit dhe kufizime në zhvillimin e raketave balistike”.

Ndërkohë Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, thotë se nëse marrëveshja atomike e fuqive botërore me Iranin dështon, atëherë kjo do të dërgonte mesazh “alarmues” për komunitetin ndërkombëtar. Këto komente ai i ka bërë mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeeve të Bashkuara lidhur me masat për moszgjerim të armatimit atomik, derisa presidenti amerikan, Donald Trump, është kërcënuar për tërheqje nga marrëveshja atomike me Iranin, e arritur në vitin 2015.