MASAKRA E SREBRENICËS

19 vjet nga masakra e Srebrenicës

11.07.2014 15:19

Bosnja dhe Hercegovina përkujtuan masakrën e Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë……..

Bosnja dhe Hercegovina  përkujtuan  masakrën e  Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Në vitin 1995,  në disa varreza masive u identifikuan eshtrat e mijëra boshnjakëve, të cilët u ekzekutuan në Srebrenicë, në masakrën e udhëhequr nga  Ratko  Mladiqi  dhe Radovan Karaxhiqi.

Në  ceremoninë përkujtimore të këtij viti, në Potoçari u varrosen rreth 175 mbetje mortore të reja, të identifikuara së fundmi, ndërsa dhjetëra familje të tjera akoma presin identifikimin e kufomave të të afërmve të tyre, për të përcjellë më pas për në banesën e fundit. Lotët  e  familjarëve përkujtuan edhe njëherë dhimbjen  e pashuar.

“Prej Zotit kërkojmë ndihmë dhe mbrojtje nga njerëzit e këqij dhe veprat e tyre. Të gjithë ne, familjarët e të ekzekutuarve, të jenë të durueshëm, sepse ashtu janë sprovat tona. Motra, vëllezër, ne jemi këtu t’i kryejmë obligimet tona fetare ndaj këtyre shehitëve dhe të përkujtojmë gjenocidin ndaj popullin tonë, që ndodhi para 19 vitesh”, deklaroi kryetari i BFI-së në Bosnjë e Hercegovinë, Husein ef Kavazoviç.

Masakra e Srebrenicës, është vetëm një pjesë e krimeve të kryera nga serbët kundër popullsisë së Bosnjës në periudhën 1992-1995.

Gjatë kësaj lufte, mbi 200 mijë boshnjak u vranë dhe rreth mbi 2 milion u detyruan të shpërngulen. Gjenocidi në Srebrenicë, vazhdon të mbetet në memorien e njerëzimit si tragjedia më e  errët në historinë  e  kohës së  fundit në Evropë. (Rexhep Qamili, TVM2)