Botë
SHBA, mbyllje e qeverisë për mungesë buxheti
20.01.2018 14:06
Mbyllja e qeverisë së Shteteve të Bashuara ka hyrë në fuqi pas mesnatës nga e premtja në të shtunën...

Mbyllja e qeverisë së Shteteve të Bashuara ka hyrë në fuqi pas mesnatës nga e premtja në të shtunën, meqë Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi dështuan të arrjnë marrëveshje për legjislacionin e financimit për ta mbajtur qeverinë funksionale.
Dhoma Përfaqësuese e Kongresit e kishte miratuar legjislacionin për zgjatjen e financimit deri më 16 shkurt, por Senati dështoi të votojë për këtë masë para mesnatës së mbrëmshme. Demokratët e Senatit e bllokuan votimin e masës së përkohshme të financimit, në përpjekje për t’i detyruar republikanët që të zhvillojnë negociata për marrëveshje për mbrojtjen e afro 700 mijë migrantëve nga dëbimi, të cilët kanë arritur në Shtetet e Bashkara si fëmijë dhe kanë qëndruar ilegalisht.
Por, Shtëpia e Bardhë, pasi filloi mbyllja e qeverisë, tha se nuk do të bëjë negociata me demokratët për imigrim, derisa ata të pajtohen për zhbllokimin e qeverisë. Kjo është mbyllja e katërt e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në 25 vitet e fundit. Me këtë mbyllje bllokohen pjesërisht disa operacione qeveritare. Shërbimet e rëndësishme, përfshirë inspektimin e ushqimit, kontrollet e sigurisë në aeroporte dhe zbatimi federal i ligjit, do të vazhdojnë. Megjithatë, punonjësit federalë nuk do të paguhen.
