Maqedoni
Ligji për shqipen, Maksuti: Ivanov i detyruar të dekretojë ligjin herën e dytë
20.01.2018 14:36
Njohësit e së drejtës kushtetuese nuk e vlerësojnë drejt mosdekretimin e ligjit për gjuhët nga ana e presidentit Ivanov....

Ata thonë se arsyet të cilat ai i numëroi, nuk përkojnë me sistemin politik të vendit, sepse ky ligj nuk cënon karakterin unitar të shtetit, ngase vendi nuk është i ndërtuar në institucione paralele, nuk është i ndarë territorialisht dhe as nuk cënon sovranitetin dhe gjuhën maqedonase. Profesori universitar Mersim Maksuti sqaron se ky ligj përmban vetëm të drejtat e gjuhës që i takojnë një etnikumi dhe në këtë aspekt presidenti ka keqpërdorur pozitën e tij.
Nëse presidenti edhe herën e dytë nuk e dekreton ligjin, kushtetuta ka zbrastira dhe nuk parashihet çka mund të ndodh më tutje sqaron Maksuti. Megjithatë ai thotë se pasi të votohet përsëri në parlament, presidenti detyrimisht duhet ta dekretoje ligjin. Në të kundërtën duke u bazuar në përvojat nga shtetet tjera evropiane, ligji i miratuar për të dytën here nga shumica parlamentare hyn në fuqi me automatizëm, edhe pse në kushtetutën e Maqedonisë një gjë e tillë nuk është e përcaktuar me ligj.
“Duke marrë parasysh se me çfarë presidenti kemi të bëjmë me përvojën që kemi pas disa raste, mund të pritet që edhe në rastin e dytë të mos nënshkruaj dekretin për hyrjen në fuqi të ligjit dhe nëse vjen në situatë të tillë, që nuk e besoj, kushtetuta nuk e parasheh se si duhet të veprohet më tej, por praktikat e vendeve parlamentare, shumica e shteteve të tjera, kushtetutat e tyre e përcaktojnë se ligji në situatë të tille kur nuk e nënshkruan as herën e dytë, ai drejpërdrejt hyn në fuqi”, tha Mersim Maksuti, profesor universitar.
Ligji për gjuhët u votua në parlament me shumicë të thjeshtë me 69 vota, dhe padyshim ky kuorum do të sigurohet edhe në seancën e rradhës për votim të sërishëm të ligjit për gjuhët, thotë për TVM2 profesori universitar Mersim Maksuti.
NERMIN MULAKI FEJZULLAU
