Maqedoni
ASH debaton me simpatizantët e saj në Kërçovë
20.01.2018 16:44
ASH ka organizuar një takim debativ me simpatizantët e saj në Kërçovë ku krerët e kësaj partie folën për zhvillimet politike...

ASH ka organizuar një takim debativ me simpatizantët e saj në Kërçovë ku krerët e kësaj partie folën për zhvillimet politike, funksionimin e tryezës së partive shqiptare dhe zgjedhjet e brendshme partiake që janë në prag të zhvillimit.
ASH në mënyrë të dinjitetshme është angazhuar për projekte konkrete e jo për poste politike në qeveri. Tryeza e përbashkët e subjekteve parlamentare shqiptare është një arritje e madhe e kësaj partie, si një instrument i veprimit të përbashkët i cili duhet të funksionojë edhe në të ardhmen, pavarësisht tendencave për prishjen e saj, potencoi kryetari i ASH Zijadin Sela.
Në këto takime të drejtpërdrejta me qytetarët tanë nga Struga deri në Likovë dëshmojmë se ne dalim ballëlartë përpara qytetarëve për të biseduar dhe për të artikuluar zërin e tyre. Jemi krenar që në zgjedhjet e fundit lokale kemi pasur një rritje të votuesve dhe jemi të bindur se në votimet e ardhshme ky numër do të dyfishohet, nënvizoi kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari.
Ndërkaq nënkryetari i kësaj partie Remzi Mehmedi, pasi shpalosi aktivitetet e deritanishme të kësaj partie dhe rrjedhat poltike nëpër të cilat po kalon vendi, u përqëndrua në zgjedhjet e brendshme partiake dhe apeloi që në këtë subjekt politik të rreshtohen të gjithë ato që kanë potenciale dhe vullnet për të dhënë kontributin e tyre në mbështetje të këtij vizioni politik.
Në fund u parashtruan shumë pyetje për situatën aktuale politike, ligjin e gjuhës shqipe, tryezën e partive shqiptare dhe raportet aktuale në mes liderëve shqiptar që pa dyshim ndikojnë në funksionimin e saj.
