SHBA, gati për të ndihmuar armëpushimin në Gaza
Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ndërmjetësojnë një armëpushim mes Izraelit dhe Palestinës në Gaza, ka deklaruar presidenti amerikan, Barack Obama…….

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ndërmjetësojnë një armëpushim mes Izraelit dhe Palestinës në Gaza, ka deklaruar presidenti amerikan, Barack Obama.
Deklarata e tij u bë në një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Ky i fundit deklaroi më herët se operacionet ushtarake në Gaza po vazhdonin, sikurse ishte planifikuar dhe së shpejti do të hynë në faza të tjera.
Sulmet ajrore në Gaza dhe ato me raketa të militantëve ndaj Izraelit, vazhduan gjatë natës. Mbi 90 banorë të Gazës kanë vdekur që prej së martës, deklarojnë burime palestineze. Thuajse gjysma e personave të vrarë janë civilë, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilës rreth 600 persona të tjerë janë plagosur.
Nga ana e tij, Izraeli deklaron se disa dhjetëra terroristë janë mes viktimave dhe se militantët kanë qëlluar rreth 500 raketa nga Gaza që nga nisja e operacioneve ditën e martë. Sipas njoftimit, shumica e raketave të qëlluar janë asgjësuar në ajër nga sistemi anti-raketë, “Kupola e Hekurt”.
Nga pala izraelite nuk ka pasur raportime për viktima. Një person u plagos rëndë kur një raketë qëlloi një stacion nafte në qytetit jugor Ashdod mëngjesin e sotëm.
Po në orët e para të ditës së sotme, një raketë u qëllua nga jugu i Libanit në veri të Izraelit, por sërish pa shkaktuar viktima.
Ndërsa në Gaza, një sulm ajror izraelit në qytetin jugor të Rafahut, vrau gjatë natës të paktën 3 persona, raportojnë burime palestineze.(Vlora Latifi, TVM2)
