Botë
Kosovë, përkujtohet 12 vjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës
21.01.2018 16:34
Me homazhet dhe me një akademi në Prishtinë përkujtohet 12 vjetori i vdekjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova...

Me homazhet dhe me një akademi në Prishtinë përkujtohet 12 vjetori i vdekjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova, në prag të jubileut të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte. Kryeministri Ramush Haradinaj, bëri homazhe dhe nderoi veprën dhe punën madhore të Presidentit Rugova.
“I bëmë nderim te varri dhe vizituam edhe familjen. Sot për simbolikë, ashtu sikur edhe presidenti ka qenë çdo herë i përcaktuar, sytë dhe orientimin kah Amerika, unë kam një bashkatdhetar, shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktarin, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë afër presidentit. Nuk është i vetmi, ka pasur shumë shqiptarë që e kanë përkrahur atë lëvizje për Kosovën e pavarur para luftës, gjatë luftës, por edhe sot. I shprehim respekt jetës dhe veprës së presidentit Rugova. Është një respekt i përjetshëm. Lavdi”, tha Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës.
Në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore. Që para afër tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur.
“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai. I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova.
Ibrahim Rugova u lind në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, ndërsa ndërroi jetë në 21 janar 2006. Më shumë se gjysmë milion njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik.
FARIJE DAUTI BAKIU
