Maqedoni
“Tvrdokornit” dhe FBM protestojnë kundër dygjuhësisë
21.01.2018 16:58
Forcat e Bashkuara Maqedonase dhe shoqata “Tvrdokorni”, përfshirë edhe disa shoqata të tjera, mbajtën protestë para Kuvendit të Maqedonisë kundër ligjit të gjuhës shqipe...

Në protestë ku përveç që u përcollën mesazhe kundër ligjit të gjuhës është djegur edhe flamuri i Bashkimit Evropian. Përfaqësuesi i “Tvrdokornive”, gjatë protestës lexoi emrat e deputetëve që votuan ligjin e gjuhëve dhe ftoi për protestë masive. Ata akuzuan deputetët dhe përfaqësuesit e Qeverisë se me miratimin e Ligjit për Gjuhët po e shesin Maqedoninë, emrin, identitetin dhe gjuhën.
“Armiqtë tanë të vërtetë qëndrojnë në objektin e Kuvendit dhe Qeverisë dhe tashmë me vite e shkatërrojnë popullin dhe shtetin tonë. Do të ecim në rrugën e drejtësisë me vëllezërit tanë maqedonas nga forcat e bashkuara dhe të gjithë të tjerët të cilët do të marrin pjesë në protestë me popullin maqedonas. Kjo është rruga e vetme e maqedonasve, nuk ka tjetër rrugë”, tha një protestues i “Tvrdokornive”.
"Edhe sikur gjithë pasurinë e vendit ta kem, nëse e humbas atdheun unë jam një asgjë. Një boshllëk pa emër dhe identitet. Çfarë të duhet atdheu kur s’din ta duash. Lufta nuk bëhet vetëm me armë, lufta bëhet edhe me marrëveshje dhe bisedime në tavolina apo në tryeza të rrumbullakëta ku tani po shitet Maqedonia", tha një protestues.
Protestat janë organizuar kundër miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas këtyre grupeve, dygjuhësia është humbje e karakterit të shtetit maqedonas dhe se humbet edhe vetë shteti. Përveç revoltës kundër gjuhës shqipe, protestuesit kanë firmosur edhe një peticionin kundër ndërrimit të emrit Kushtetues.
NAIM RAMADANI
