Botë

Përfundon pengmarrja në Kabul, talebanët morën përgjegjësinë për sulmin

21.01.2018 19:23

Talebanët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin Interkontinental në Kabul, duke theksuar se pesë pjesëtarë të armatosur të kësaj lëvizje kishin vënë në cak të huajt dhe zyrtarët afganë....

Një zëdhënës i talebanëve tha se ishte paraparë që sulmi në hotel të ndërmerrej të enjten, por aksioni u shty, për shkak se në hotel po zhvillohej një dasmë dhe se talebanët deshën të shmangin viktimat në mesin e civilëve. Një zëdhënës i ministrisë së Brendshme të Afganistanit tha se rrethimi i hotelit, që filloi të shtunën në mbrëmje, ka përfunduar, pasi që forcat e sigurisë vranë të gjithë sulmuesit.

Sulmuesi i fundit është vrarë sot pasdite, më shumë se 12 orë pas fillimit të sulmit. Gjatë këtij aksioni, ekstremistët islamikë vranë gjashtë persona, në mesin e tyre edhe një shtetas të huaj. Gjashtë persona tjerë, në mesin e tyre edhe tre pjesëtarë të forcave të sigurisë, u plagosën gjatë sulmit në hotelin luksoz, i cili vizitohet nga të huajt dhe zyrtarët afganë.

Sulmuesit morën disa pengje dhe luftuan me orë të tëra me pjesëtarët e forcave të sigurisë. Autoritetet arritën që nga hoteli të evakuojnë 153 mysafirë, në mesin e tyre edhe 41 shtetas të huaj.