Nota e protestës, reagon Shqipëria dhe Kosova
Nota e protestës që Ministria e Jashtme e Maqedonisë i dërgoi Shqipërisë dhe Kosovës, ka shkaktuar zemërim në dikasterin e diplomacisë shqiptare….

Nota e protestës që Ministria e Jashtme e Maqedonisë i dërgoi Shqipërisë dhe Kosovës, ka shkaktuar zemërim në dikasterin e diplomacisë shqiptare.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka thirrur në një takim ambasadorin e Maqedonisë në Tiranë, ku i ka sqaruar pozitat e Shqipërisë lidhur me protestat, por edhe Marrëveshjen e Ohrit.
Gjatë takimit, ambasadorit i është shprehur keqardhja për moskuptimin e mesazheve të përcjella nëpërmjet deklaratave të zyrtarëve shqiptarë. “Qëndrimet e Republikës së Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me shqetësimin e shprehur nga faktori ndërkombëtar. Republika e Shqipërisë mbetet e angazhuar dhe ka shprehur në mënyrë sistematike mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Ambasadorit iu rishpreh shqetësimi për dhunën e ushtruar gjatë demonstratave.
MPJ-ja theksoi se kjo mënyrë sjelljeje nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, dëmton marrëdhëniet ndëretnike dhe harmoninë midis komuniteteve.
Gjithashtu, ambasadorit të Maqedonisë iu vu në dukje se këto deklarata nuk mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, por përbëjnë një shprehje të natyrshme të shqetësimit për situatën e krijuar dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për maturi dhe gjetjen e zgjidhjeve.
Në njoftim, thuhet se Republika e Shqipërisë është e interesuar për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë.
Ambasadorit maqedonas ju theksua se nota verbale e MPJ-së të Maqedonisë është më shumë një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga thelbi i çështjes.
“Jemi të mendimit se shkaqet e këtyre situatave duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek mos zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Çdo përpjekje për të kërkuar shkaqe apo faktorë te tjerë dhe për më tepër jashtë kufijve të Maqedonisë, do të ishte joproduktive”, thuhet në njoftim.
Republika e Shqipërisë e konsideron zbatimin në frymë dhe në germë të Marrëveshjes së Ohrit, si shtyllën kryesore të shtet-ndërtimit demokratik dhe busull orientuese për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë.
Sipas Ministrisë se Jashtme, shqiptarët e Maqedonisë janë jo vetëm një urë bashkëpunimi, por faktor shtet-ndërtues me një rol të rëndësishëm në stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit. (Luljeta Ndoka, TVM2)
