Protesta në Tiranë, Bruksel dhe Nju Jork
Protesta në mbështetje të shqiptarëve ka pasur sot në Tiranë, Bruksel dhe Nju Jork…..

Protesta në mbështetje të shqiptarëve ka pasur sot në Tiranë, Bruksel dhe Nju Jork.
Aleanca Kuq e Zi, ka protestuar para ambasadës së Maqedonisë në Tiranë.
Kreu i kësaj Aleance, Kreshnik Spahiu, u bëri apel protestuesve të mbajnë në dorë vetëm flamurin shqiptar.
“Lironi të burgosurit politik, ata janë të pafajshëm. Shqiptarët janë kombi më tolerant, ndaj në emër të të gjithë forcave politike, kemi një mesazh për të gjithë tubuesit, mbani vetëm një slogan: “Shkupi, djepi i shqiptarizmit”. Hiqni flamujt e partive politike dhe mbani vetëm flamurin shqiptar. Është shekulli i shqiptarëve. Ky shekull duhet të na gjejë bashkë. Shkupi, zemra e Shqipërisë”, - u shpreh Spahiu.
Ndërkohë edhe në Bruksel sot u protestua në shenjë solidarizimi me protestuesit shqiptarë nga Maqedonia. Shqiptarët u tubuan para institucioneve të BE-së, duke kërkuar proces të drejtë ligjor për shqiptarët e dënuar në Maqedoni. Përveç Brukselit, protesta ka pasur edhe pranë ndërtesës së selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. (Afrim Tanallari, TVM2)
