Komuna e Çairit, Xhemile Mehmeti zgjidhet kryesuese e këshillit
Këshilltarja e Lëvizjes Besa, Xhemile Mehmeti është zgjedhur kryesuese e këshillit komunal....

Këshilltarja e Lëvizjes Besa, Xhemile Mehmeti është zgjedhur kryesuese e këshillit komunal në komunën e Çairit. Për zgjedhjen e Xhemile Mehmetit për kryetare të Këshillit kanë votuar gjithsej 15 këshilltarë, prej të cilëve 9 nga radhët e BDI-së, 4 të LSDM-së dhe dy të lëvizjes Besa, nga krahu i Bilall Kasamit, ndërsa në momentin e votimit mbledhjen e kanë braktisur 6 këshilltarë të BESËS , 4 të VMRO-së dhe këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët.
Pas zgjedhjes së kryetarit, përkrahësit e Nexhbedin Karemanit të Lëvizjes BESA, kanë dërguar kumtesë duke i akuzuar këshilltarët të cilët janë përkrahës të Bilall Kasamit, se po bashkëpunojnë me BDI-në.
“Që opinioni të mos ketë më paqartësi për problemet që ndodhnin në Lëvizjen Besa, për këtë sot u kujdesën dy ish këshilltarë gjoja të Besës në Komunën e Çairit, që sot u bënë bashkë me këshilltarët e BDI-së për ta zgjedhur kryesuesin e Këshillit të Komunës. Siç u njoftua opinioni, në kundërshtim me vullnetin e 6 këshilltarëve të Lëvizjes Besa, por me mbështetje të plotë të këshilltarëve të BDI-së, sot u zgjodh për kryesuese e Këshillit një këshilltare që e mbështet ish kryetarin e Lëvizjes Besa, B. Kasami. Përveç që kjo është tradhti ndaj këshilltarëve të tjerë të Besës, që ishin marrë vesh për shumicën e re në Këshill dhe, madje, për emrin e kandidatit, kjo që ndodhi sot në Çair e shpjegon më mirë dhe më saktë se kush është edhe porositësi dhe sponsorizuesi i përplasjeve në Lëvizjen Besa. Nëse kundërshtarët politikë të mbështesin dhe bashkëpartiakët të bojkotojnë, e qartë është se kush me kë është. Këtu dëshirojmë të përsërisim se nuk ka pasur dy krahë ose dy palë në BESA, por ka pasur vetëm një Lëvizje Besa dhe një filiale të BDI-së, deri dje eksponentë të lartë të Besës. Kjo ka qenë e qartë për neve, por tash u bë e qartë edhe për opinionin”, - thonë nga Lëvizja BESA.
