VAZHDOHET PARABURGIMI

Vazhdohet edhe 30 ditë paraburgimi për 8 persona

11.07.2014 17:17

Me propozim të Prokurorisë Publike Themelore, Gjykata Penale në Shkup vazhdoi paraburgimin për 30 ditë për 8 të arrestuarit gjatë protestave të 4 korrikut…..

Me propozim të Prokurorisë Publike Themelore, Gjykata Penale në Shkup vazhdoi paraburgimin për 30 ditë për 8 të arrestuarit gjatë protestave të 4 korrikut.

Në akuzën e Prokurorisë thuhet se këta persona ndiqen  për veprën penale pjesëmarrje  në turmë, e cila shkakton vepër penale. Në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore 1 në Shkup, thuhet se: Prokuroria ngarkon këta tetë persona, se kanë qenë pjesë e grupit më të madh të protestuesve, të cilët më date katër korrik 2014, protestuan para objektit të Gjykatës Themelore 1 dhe 2 në Shkup, ku me gurë dhe me gjësende të forta kanë dëmtuar fasadën e objektit dhe kanë lënduar disa pjesëtarë të Shërbimeve Policore.

Nga Gjykata njoftuan se në mënyrë plotësuese do të caktohet dita për mbajtjen e seancës kryesore për lëndën konkrete, për të cilën publiku do të informohet në kohë.

Ministria e Punëve të Brendshme, deri më tani ka identifikuar 34 persona që morën pjesë në protestat e së premtes së kaluar në Shkup, kundër dënimit me burg të përjetshëm për gjashtë të akuzuarit në rastin “Monstra”. Masa për ndjekje penale janë marrë kundër 24 personave, ndërsa për 10 të arrestuarit e tjerë, janë paraqitur padi për kundërvajtje.

Sipas Kodit Penal, Neni 385, për vepër penale për të cilën ngarkohen të arrestuarit, janë të parapara dënime deri më pesë vite burg. Akuza të tjera penale që kanë të bëjnë me protestat e javës së kaluar para Gjykatës Themelore në Shkup, nuk janë paraqitur, thuhet më tej në komunikatën e Gjykatës Themelore 1 në Shkup. (Florije Kamberi, TVM2)