Shqiptarët protestuan qetë dhe me dinjitet
Në mënyrë të qetë dhe demokratike, protestuesit shprehën revoltën e tyre për vendimin e dhënë nga Gjykata në rastin “ Monstra”……..

Në mënyrë të qetë dhe demokratike, protestuesit shprehën revoltën e tyre për vendimin e dhënë nga Gjykata në rastin “ Monstra”.
Por edhe pse protesta ishte e qetë, kordoni policor nuk lejoi afrimin e qytetarëve para Gjykatës së Shkupit. Ndryshe nga java e kaluar, sot protesta kishte organizatorë konkret, të cilët në emër të familjarëve të të dënuarve, shpalosën për herë të parë kërkesat e protestuesve dhe familjarëve.
“Shpalljen si të pafajshëm, lirimin e menjëhershëm dhe dëmshpërblimin e tyre. Shkarkimin e menjëhershëm të prokurores dhe gjykatësit të rastit dhe ndjekjen e tyre penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Dorëheqjen e ministres së Brendshme, për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, duke shpallur gjykimin qysh gjatë arrestimit të tyre dhe lirimin e menjëhershëm të protestuesve në Shkup dhe Tetovë”, - deklaroi organizatori Daim Luçi.
Apeleve për protesta të qeta iu bashkëngjitën edhe familjarët e të dënuarve.
“Ata na kanë nxitur të protestojmë në këtë mënyrë, prandaj po protestojmë bashkë me bashkëqytetarët dhe jemi mirënjohës që po na japin gajret. Ne do të vazhdojmë të protestojmë për të drejtat tona, sepse nuk na ka ngel gjë tjetër pos rrugës”, tha familjari i të dënuarve, Bedri Ajdari.
Edhe pse protestat ishin të qeta, pak para fillimit të protestës pothuajse të gjitha dyqanet në qendrën “Mavrovasja”, si dhe në Çarshi janë mbyllur. Protesta e sotshme në Shkup kaloi pa përplasje ndërmjet policisë dhe demonstruesve, ndërkohë që disa protestues kanë gjuajtur me gurë lokalet gjatë kohës sa shpërndahej turma e protestuesve.
Dje, partitë politike dolën me apele të shtuara për protesta të qeta. Edhe sot, vetëm pak orë para protestës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup, në një deklaratë dhënë radios “Evropa e Lirë”, ritheksoi se "dhuna minon legjitimitetin e qëllimeve dhe zvogëlon vëmendjen nga përpjekjet produktive për zgjidhjen e çështjeve". “Sinqerisht, shpresojmë se fotografinë të cilën e pamë gjatë protestave të paradokohshme, nuk do të përsëritet më dhe i inkurajojmë të gjithë qytetarët të kontribuojnë për krijimin e atmosferës të shprehjes paqësore të mendimit”, apeluan edhe nga ambasada e OSBE-së në Shkup. (Sanije Kasami, TVM2)
