Forumi ekonomik botëror në Davos, Trumpi do të ketë një mori takimesh
Presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet me kryeministren britanike...

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet me kryeministren britanike, Theresa May, kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidentin zviceran, Alain Berset, dhe atë të Ruandës, Paul Kagame, në vizitën e tij dyditore në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, H. R. McMaster, ka thënë dje në Uashington se Trump do të diskutojë me kryeministren britanike, May, për Korenë Veriore, Sirinë dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Presidenti amerikan, Trump, do të takohet për herë të parë me kryeministrin izraelit, Netanyahu, prej kur ai mori vendim që Shtetet e Bashkuara ta njohin Jerusalemin, kryeqytet të Izraelit, në muajin e kaluar.
Trump do të ketë një ditë me shumë takime të planifikuara më 25 janar. Në po atë ditë ai do të ketë edhe një darkë me liderët europianë. Këshilltari amerikan për ekonomi në Shtëpinë e Bardhë, Gary Cohn, ka thënë se fjalimi i Trumpit do të inkurajojë liderët botërorë të investojnë në Shtetet e Bashkuara dhe t’i tregojmë botës se Amerika është e hapur për biznes.
Më shumë se 1,000 persona kanë protestuar në Cyrih nën sloganet “Trump nuk është i mirëseardhur”.
