Gazetarët ankohen për drejtësi selektive
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, tha se vërehet një përparim në zhvillimin e proceseve gjyqësore. Sipas tij, Gjykatat duhet vetëm të zbatojnë Kushtetutën…….

Gazetarët përballen me stërzgjatje të proceseve gjyqësore, veçanërisht kur ata janë në rolin e paditësit, ndërsa e kundërta ndodh kur politikanët apo bartësit e funksioneve publike padisin gazetarët.
Në raste të tilla, ata mbarojnë shumë më shpejtë. Ky është konstatimi i disa prej përfaqësuesve të mediave në Maqedoni, gjatë një debati të organizuar nga Qendra për Zhvillimin e Mediave në kuadër të mbikëqyrjes së proceseve gjyqësore për shpifje dhe fyerje.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, tha se vërehet një përparim në zhvillimin e proceseve gjyqësore. Sipas tij, Gjykatat duhet vetëm të zbatojnë Kushtetutën.
“Roli i Gjykatës është që t’i mbrojë të drejtat e njeriut, të garantuara me Ligj. Në Kushtetutë shkruan se liria e shprehjes është e drejtë njerëzore. Gjithë çfarë duhet të bëjë Gjykata, është që t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto të drejta”, deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Ndërkohë, gazetari, Aco Kabranov, tha se Ligji nuk është në favor të gazetarisë profesionale.
“Unë, që në fillim isha skeptik dhe e dija se ky Ligj do të na binte në kokë ne që duam të punojmë në mënyrë profesionale, si dhe do tu dilte në krah mediave proqeveritare. Qëllimi është arritur”, theksoi gazetari, Aco Kabranov.
Mbikëqyrja e proceseve gjyqësore është bërë nga Qendra për Zhvillimin e Mediave dhe përfshin periudhën kohore nga fillimi i marsit, deri më 15 qershor të këtij viti. (Naim Ramadani, TVM2)
