IS merr përgjegjësinë për sulmin në zyret e Save the Children

24.01.2018 13:06

Zyrtarët afganë kanë thënë, se të paktën dy persona janë vrarë dhe 12 të tjerë....

Zyrtarët afganë kanë thënë, se të paktën dy persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë lënduar në një sulm në zyret e agjencisë ndërkombëtare për ndihma, Save the Children në Jalalabad.

Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Një sulmues vetëvrasës ka aktivizuar një makinë-bombë jashtë zyreve të organizatës në qytetin lindor, ka thënë zëdhënësi për guvernatorin e Provincës Nangarhar, Attaullah Khogyani.

Më pas një grup i personave të armatosur ka hyrë në ndërtesë dhe ka filluar përleshjen me forcat e sigurisë, ka thënë ai.

Ai ka thënë më vonë se një zyrtar policor, një civil dhe sulmuesi i dytë janë vrarë, duke shtuar se sulmuesi i tretë është duke luftuar ende.

Shefi i policisë së Nangarhar-it Abdul Rahman Rahimi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se është duke vazhduar operaconi ushtarak për të pastruar zonën nga sulmuesit.

Është raportuar se kanë qenë të paktën tre persona të armatosur.

Në një deklaratë dërguar mediave, zëdhënësi i grupit të talibanëve ka kundërshtuar ndonjë përfshirje të këtij grupi në sulmin e sotëm.

Qeveria e Kabulit e mbështetur nga Perëndimi, është përballur me talibanët dhe grupe të tjera militante nga tërheqja e shumicës së trupave të NATO-s më 2014.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Save the Children, është thënë se grupi është “i dëshpëruar”, pas lajmeve për sulmin duke shtuar se “shqetësimi ynë primar është për sigurinë e stafit tonë”.