Maqedoni
Ligji për gjuhët, Qeveria: Presim mendimin e Komisionit të Venecias
24.01.2018 14:27
I gjithë teksti i Ligjit për gjuhët do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias dhe mund të pësojë ndryshime në varësi të vërejtjeve eventuale...

Qeveria do të kërkojë mendim nga Komisioni i Venecias për dispozitat e ligjit që kanë të bëjnë me dygjuhësinë në uniformat e policisë, punonjësve shëndetësorë dhe zjarrfikësve në Shkup dhe në ato komuna me mbi 20% popullatë shqiptare, si dhe simbolikën në monedha, të cilat duhet të paraqesin edhe kulturën e etnikumit shqiptar në vend.
Nga qeveria përsëritën se ligji është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe u bënë thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së të marrin pjesë në debatin në leximin e tretë të tij.
“Qëndrimin e qeverisë e dini, ne vlerësojmë se ligi për përdorimin e gjuhëve është në pajtueshmëri me kushtetutën, është miratuar në atmosferë demokratike dhe ka votat e shumicës parlamentare. Qeveria vitin që lamë pas solli vendim, ligji pas miratimit në Kuvend do të shkojë për vlerësim në Komisionin e Venecias. Kur ligji sërish të kthehet në Republikën e Maqedonisë, ka konsensus dhe vullnet politik që të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venecias të implementohen në ligj”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Dy institucionet do të ndjekin nga afër implementimin e ligjit në praktikë, Agjencia për zbatimin e gjuhëve dhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve. Por, sipas Boshnjakovskit, për momentin nuk parashihen punësime të reja, megjithëse do të bëhet edhe një analizë plotësuese kur ligji të fillojë të implementohet.
“Nuk do të ketë punësime të reja që do të rëndonin në mënyrë plotësuese buxhetin republikan. Do të shfrytëzohen të punësuarit aktualë në administratën shtetërore”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Për moszbatim të ligjit janë paraparë dënime prej 4 deri më 5 mijë euro për institucionet dhe 1.000-1.500 euro për personat përgjegjës në organet shtetërore. Por, më e rëndësishmja është pikërisht që gjuha shqipe të flitet e shkruhet sipas standardit nga vetë të punësuarit shqiptarë që do të përkujdesen për përdorimin e saj në praktikë.
Ende nuk ka një analizë të qartë se sa nga të punësuarit aktualë në administratë përmbushin kushtet për të punuar në agjencinë dhe inspektoratin që duhet të kontrollojnë se sa institucionet e respektojnë përdorimin e Ligjit për gjuhët. Ekspertët gjatë kohë alarmojnë se kontrollorët duhet të jenë njohës të mirë të gjuhës shqipe, e jo thjesht administratorë vetëm me njohje bazike të shqipes.
FLUTURA LATIFI
