Maqedoni
Osmani: Përvojat e Serbisë në negociata janë përfitim i rëndësishëm për ne
24.01.2018 15:29
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Serbisë...

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Serbisë, realizoi takim me kryetarin e Bordit për Çështje Evropiane në Parlamentin e Republikës së Serbisë, Nenad Çanak, si dhe me koordinatoren e Konventës nacionale të BE-së të Republikës së Serbisë, Natasha Dragojloviq.
Në takime u diskutua mbështetja e ndërsjellë në procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian, ndërkaq theks i veçantë u vu në shkëmbimin e mendimeve, përvojave, si dhe krijimit e mekanizmit dhe kanaleve të komunikimit për bashkëpunim të mëtutjeshëm në proceset eurointegruese. Osmani theksoi interesimin e Republikës së Maqedonisë, në veçanti të Sekretariatit për Çështje Evropiane, për shkëmbimin e përvojave lidhur me përgatitjen dhe trajnimin e ekipit negociues, si dhe sfidave më të rëndësishme me të cilat ballafaqohen vendet gjatë fillimit të negociatave.
“Si udhëheqës i Sekretariatit për Çështje Evropiane, kam marrë obligim të siguroj përgatitje adekuate për fillim eventual të negociatave të Republikës së Maqedonisë, sepse përvojat e Serbisë, si vend negociator, paraqet përfitim të rëndësishëm për ne”,- theksoi Osmani.
Gjatë takimeve u hapën edhe tema për bashkëpunim rajonal në drejtim të iniciativave rajonale evropiane, si që është procesi i Berlinit, ku zëvendëskryeministri Osmani potencoi se është e nevojës të jepen përpjekje maksimale për avancimin e kushteve infrastrukturore dhe të komunikimit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shoqëror në përgjithësi të të dyja vendeve. Në kuadër të vizitës në Beograd, zëvendëskryeministri Osmani më herët realizoi takim me ministren për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq.
Vizita në Beograd është pjesë e turneut Ballkanik të cilin zëvendëskryeministri Osmani e filloi me vizitat e tij në Athinë dhe Tiranë në fillim të këtij muaji, ndërkaq pas vizitës së tij në Beograd do të vazhdojë me vizitë edhe në Sofje, thuhet në njoftimin e SÇE-së.
