Maqedoni

Protesta në Gostivar, 41 mësuesve nuk u vazhdohen kontratat

24.01.2018 16:11

41 mësimdhënësve në Gostivar nuk u janë vazhduar kontratat e punës...

Ata sot kanë mbajtur një protestë para komunës, duke akuzuar kreun e Gostivarit për diskriminim, diferencim dhe revanshizëm. Ata akuzojnë Taravarin  se po largon mësuesit me përvojë nga puna për t’i zëvendësuar me kuadro partiakë, edhe pse deklarativisht është angazhuar për depolitizim të arsimit.
 
Mësuesit e larguar kërkojnë që MASh-i dhe faktori ndërkombëtar të ndërhyjnë në këto veprime, të cilat i cilësojnë si antiligjore dhe me motive politike, që po ndërmerren nga kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
 
“Largohen nga puna mësimdhënës të kualifikuar dhe me përvojë  pune, dhe në vend të tyre punësohen kuadro pa përvojë pune, madje në disa raste edhe të padiplomuar dhe jokompetentë. Kemi raste të angazhimit në punë pa i plotësuar kriteret e parapara ligjore edhe të aktivistëve partiakë dhe këshilltarëve komunalë nga radhët e partisë së Taravarit. Nuk mund të quhet demokratike dhe reformuese veprimi që në emër të depolitizimit të bëhet politizimi i institucioneve arsimore. As deklaratat e moderuara publike nuk amnistojnë veprimet politike që bëhen në zyrën e kryetarit të komunës dhe drejtorëve të shkollave, emërimi i të cilëve u konstatua edhe nga institucionet kompetente se ishte joligjor”,- u shpreh mësuesja, Flora Ahmeti.