Maqedoni
Paratë e deputetëve për transport, qytetarët: Të vijnë në punë si gjithë të tjerët
24.01.2018 16:38
Deputetët gëzojnë privilegje të tjera të shumta, përveç rrogës që e marrin...

Por, harxhimet për transport aktualisht janë ndër privilegjet që shkaktojnë më shumë reagim. Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se edhe deputetët duhet të shkojnë në punë si të gjithë të tjerët, pra vetë të gjenden për transport e jo të harxhojnë para shtesë.
Sipas tyre, mjafton që deputetët tanë të marrin shembuj homologët e tyre apo edhe politikanë të shumtë botërorë që nuk e kanë kompleks të shkojnë në punë me metro, autobusë, madje edhe me biçikleta.
“Ashtu siç punojnë të gjithë për rrogë, edhe ata punojnë për rrogë dhe duhet që vetë të gjejnë mënyrën për transport. Ata marrin me mijëra euro për transport, kjo është e palogjikshme. Edhe pse akuzohen mes tyre partiakisht, kur vjen puna të votojnë për privilegjet e tyre, të gjithë bëhen bashkë. Askush nuk do të punojë, të gjithë duan të bëhen funksionarë shtetërorë për ta mbushur xhepin e tyre”,- deklaroi një qytetar.
“Po, duhet t’u tërhiqen paratë patjetër. Ka mënyra tjera për udhëtim, ka autobusë, ka biçikleta, nuk është patjetër me vetura të shkohet në punë”,- u shpreh një qytetar.
“Duhet t’u shkurtohen normalisht. Gjithkush ka drejtë të shfrytëzojë transportit në mënyrën më të mirë”,- theksoi një qytetar.
Shpeshherë mediat kanë alarmuar për keqpërdorim të shpenzimeve të udhëtimit nga ana e deputetëve.
Pas reagimeve të shumta në opinion në lidhje me kompensimet e larta që i marrin deputetët për shpenzimet e udhëtimit të tyre, Komisioni për punë dhe politikë sociale në Kuvend njëzëri miratoi ndryshimet e Ligjin për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve dhe personave të emërtuar. Sipas ndryshimeve, paratë për shpenzime të deputetëve do të shkurtohen për 33%.
Si masë shtesë përmendet edhe detyrimi i çdo deputeti të dorëzojë vërtetim se pagesën rrugore e ka kryer me kartelën e vet bankare. Me këtë, sipas deputetëve të pozitës, do të zvogëlohen mundësitë për keqpërdorim të pagesës për harxhime të udhëtimit, gjë që nuk ka qenë dukuri e rrallë gjatë viteve të kaluara.
ERSAN PAJAZITI
