Rasti “TNT”, Canovski kërkon 55 mln euro dëmshpërblim. Gruevski dhe Janakievski nuk ndjehen fajtorë

24.01.2018 16:47

Nikolla Gruevski, Mile Janakievski dhe Toni Trajkovski - të akuzuarit e parë në “TNT”....

Nikolla Gruevski, Mile Janakievski dhe Toni Trajkovski - të akuzuarit e parë në “TNT”, rast që ka të bëjë me rrënimin e objektit “Kosmos”, para trupit gjykues deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për veprën për të cilën ngarkohen.

Prokurorët specialë deklaruan gjatë seancës se kjo vepër penale është rezultat i hakmarrjes për motive politike dhe me këtë kanë dëmtuar biznesmenin Fiat Canovski me rreth 16 milion euro.

Nga PPS deklaruan se kanë prova e dëshmitarë me të cilët do të dëshmojnë për fajësinë e të akuzuarve, kanë dëshmi nga persona të dëmtuar, prononcime profesionale nga Fakulteti i Arkitekturës, ekspertiza urbane, ekonomike dhe financiare. Biznesmeni, Fiat Canovski, si palë e dëmtuar në këtë rast, theksoi se beson në vendimin e drejtë gjyqësor, ndërsa kërkon 55 milion euro dëmshpërblim të përgjithshëm për rrënimin e objektit “Kosmos”.

“Unë jam si palë e dëmtuar dhe besoj në këtë këshill gjyqësor, se do të sjellë vendim të drejtë dhe se fajtorët që i kanë bërë dëme të mëdha Maqedonisë dhe mua do të dënohen. Gjykata do të dëshmojë nëse është ndërtuar me ose pa të drejtë. Siç e pashë, Prokuroria ka ekspertizë për dëmin për 16 milion euro, ndërsa ekspertiza imë është 18 milion euro për dëmet bazë, ndërsa së bashku me fitimet e humbura dhe streset e përjetuara, kërkesa është rreth 55 milion euro”,- deklaroi pala e dëmtuar, Fiat Canovski.

Pala mbrojtëse thekson se deri më tani janë shkelur të drejtat për mbrojtje të barabartë dhe trupi gjykues nuk është treguar korrekt gjatë këtij shqyrtimi. Ata me çdo kusht kërkuan që të anulohet seanca dhe mos të jepen fjalët hyrëse deri sa nuk i kanë në dispozicion dëshmitë e propozuara nga PPS.                                                                     

“Shumë seriozisht deri më tani ishin të rrezikuara të drejtat e mbrojtjes në kuptimin e mbrojtjes së barabartë dhe qasjes deri tek të gjitha dëshmitë që i posedon prokuroria. Këtu mendoj para së gjithash në incizimet të cilat nuk ju dorëzuan mbrojtjes dhe akoma nuk u janë dorëzuar”,- tha avokati mbrojtës, Sterjo Ziko.                                                                   

Në rastin “TNT” akuzohen 7 persona. Sipas akuzës, Gruevski dhe Janakievski kanë shfrytëzuar pozitën e tyre për të shkatërruar investimin e rivalit të tyre politik për shkak se ai dhe partia e tij kanë braktisur koalicionin me VMRO-DPMNE-në.

Seanca e radhës është caktuar për më 9 shkurt. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)