Maqedoni

Pluralizmi politik në media, ekspertët: Ka lëvizje, por jo të mjaftueshme

24.01.2018 16:58

Mediat mundohen të promovojnë pluralizmin politik, por ende jo mjaftueshëm.

Ky është konstatimi i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele dhe i Këshillit të Etikës, të cilët bashkërisht vlerësuan se duhet bërë akoma shumë punë për të përmirësuar imazhin e përkeqësuar vite me radhë me mosrespektimin e rregullave gazetareske. 
 
“Në media sërish mund të vërehet gazetari favorizues. Televizionet nacionale përpiqen të jenë korrekte me promovimin e pluralizmit politik, por jo të gjithë janë të suksesshëm në këtë drejtim”,- deklaroi Mirçe Adamçevski nga Këshilli i Etikës.
 
“Përgjegjësinë më të madhe për mosrespektimin e pluralizmit e kanë pronarët e mediave të cilat njëherë e përgjithmonë duhet të kuptojnë se ata nuk ushtrojnë veprimtari të thjeshtë, por kanë rol të rëndësishëm publik dhe duhet të mësohen të bëjnë diferencën mes klientelizmit dhe rolit që kanë mediat në shoqëri”,- tha drejtori i Agjencisë për Audio dhe Audiovizuele, Zoran Trajçevski.
 
Ekspertët konstatojnë nevojën imediate të promovimit të pluralizmit politik në raportimin medial edhe jashtë periudhës zgjedhore, kur ligji e rregullon këtë pjesë.
 
“Rregullativa ligjore duhet të implementohet nga të gjitha organet që kanë kompetenca. Trupi vetrregullator duhet të vazhdojë me punën e tij, mediat duhet të rrisin përkrahjen për të njëjtën, ndërsa OJQ-të duhen të jenë më aktive në promovimin e pluralizmit në media”,- tha Vesna Nikodinovska nga Instituti Maqedonas për Media.
 
“Është e nevojshme të përforcohet rregullimi i brendshëm dhe i jashtëm i pluralizmit politik në media si dhe të vendosen dhe respektohen rregullat e qarta të pronshmërisë së mediave dhe të paanshmërisë së profesionit”,- u shpreh profesori universitar i gazetarisë nga Britania e Madhe, Xhastin Shlozberg.
 
Në Këshillin e Etikës deri tani janë paraqitur mbi 200 ankesa pikërisht për mosrespektimin e rregullave gazetareske gjatë raportimit, u tha në debatin e organizuar nga Instituti Maqedonas për Media. 
 
REXHEP QAMILI