Maqedoni

Gostivar, zgjidhet përkohësisht ngërçi financiar

24.01.2018 17:19

Këshilli komunal i Gostivarit votoi njëzëri për të zgjidhur përkohësisht ngërçin financiar në të cilin gjendet komuna...

Këshilli komunal i Gostivarit votoi njëzëri për të zgjidhur përkohësisht ngërçin financiar në të cilin gjendet komuna pas mosvotimit paraprak të buxhetit të saj për vitin 2018.
 
Por, kreu i këshillit, Nasir Musliu, akuzoi kreun e komunës për obstruksione në dëm të punës së këshillit, që rezultuan me mosvotimin e buxhetit vjetor. 
 
“Jemi sot këtu që të debatojmë, të sjellim vendim për mënyrën e financimit të komunës deri në miratimin e buxhetit të komunës që të mundësojmë funksionim financiar të komunës dhe në këtë mënyrë të mbrojmë interesin e qytetarëve tanë, administratorëve, si dhe punonjësve të arsimit. Kryetari i komunës, duke tentuar që fajin për ngecjen e punës në këshillin komunal ta heqë nga vetja, harroi pengesat dhe obstruksionet që i bëri në dëm të funksionimit të këshillit”,- deklaroi kryetari i Këshillit Komunal të Gostivarit, Nasir Musliu.
 
Kjo masë e përkohshme financimi do të vlejë deri më 31 mars, periudhë kjo gjatë së cilës kryetari i komunës do të mund të  miratojë pagesa në vlerë prej më së paku një të tretën e shumës së përgjithshme të harxhimeve të çerekut të parë të vitit paraprak.
 
Mosvotimi i buxhetit të 2018 në komunën e Gostivarit erdhi si pasojë e përplasjeve në këshillin komunal që dominohet nga këshilltarët e BDI-së, LSDM-së dhe administratës komunale. Buxheti i projektuar i komunës së Gostivarit për këtë vit është 16,8 milionë euro.
 
BELINDA KOKA-ADEMI