Maqedoni

Ligji për gjuhët, ekspertët: Për implementim, duhen profesionistë

24.01.2018 17:40

Ligji për përdorimin e gjuhëve është kthyer sërish në kuvend në lexim të tretë....

Ligji për përdorimin e gjuhëve është kthyer sërish në kuvend në lexim të tretë. Por, ekspertët kërkojnë kujdes të veçantë pas miratimit për zbatimin e tij në praktikë. Standardi gjuhësor duhet ruajtur me fanatizëm duke angazhuar kuadër cilësor e jo partiak, ngase nëse nuk tregohet kujdes, pëson zbatimi i ligjit, thonë ekspertët.
 
“Meqë shqipja nuk është pronë e asnjë partie politike, as e albanologëve, as e ndonjë individi, por shqipja është pronë e gjithë shqiptarëve dhe kësaj radhe ne duhet të kemi një kujdes shumë të madh. U bëj thirrje të gjithë atyre që do ta zbatojnë ligjin, në këto agjenci dhe inspektorate jo të vënë njerëz me lista të partive, patjetër duhet të jetë me gjuhëtarët më të mirë që ka Maqedonia”,- deklaroi profesoresha universitare, Ajtene Qamili.
 
“Çdo dokument që lëshohet në mediumet e shkruara që i shohim në internet, është e pamundur të mos thuash se po ndodh një masakër e gjuhës shqipe dhe tani çfarë garanci mund të kemi, se gjuha shqipe mund të vijë për një vjet, për dy vjet. Nuk është vetëm zbatimin formal ta përdorim. Në nenin 20, pika një, është formuar Agjencia, por Agjencia duhet të jetë e profesionalizuar edhe për çështje përmbajtësore të gjuhës, jo vetëm për zbatim në gjykatë apo universitet”,- tha profesori universitar, Arbër Çeliku.
 
Tashmë ligji i pret edhe një herë votat e deputetëve. Presidenti Ivanov më nuk do të mund të pengojë ligjin, edhe pse ekspertët e fushës nuk përjashtojnë  involvimin e Gjykatës Kushtetuese për ta prolonguar zbatimin e ligjit.
 
“Kushtetuta e Maqedonisë në mënyrë taksative përcakton faktin se presidenti mundet vetëm një herë të përdorë veton, e cila është e rrëzueshme nga ana e parlamentit. Nëse Parlamenti i Maqedonisë përsëri e voton ligjin e njëjtë me shumicë nga numri i tërësishëm i deputetëve, pra të paktën me 61 vota, atëherë kryetari i shtetit obligohet që të dekretojë ligjin dhe ligji do të fuqizohet”,- u shpreh profesori universitar, Jusuf Zendeli.
 
“Në RM defekti është politik nuk është juridik. Pala joshqiptare do të gjejë edhe argumente të tjera plotësuese për ta prolonguar, sepse kemi ne nga tradita përvoja të hidhura. Unë kam bindjen se përveç presidentit, kësaj radhe do të involvohet edhe Gjykata Kushtetuese. Këta nuk e lënë problemin që ligji të kalojë në Parlamentin e Maqedonisë”,- theksoi profesori universitar, Abdulla Memeti.
 
Ligji për gjuhët në Kuvend do të jetë në rend dite të hënën e ardhshme. 
 
NAIM RAMADANI