Maqedoni

Harxhimet e deputetëve për shpenzime rruge, Nikollovski: shpenzimet e shfrenuara vazhdojnë; Ismaili: zgjidhje optimale edhe në favor të deputetëve

24.01.2018 18:11

Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive miratoi Propozim-ligjin rreth ndryshimit të Ligjit për deputetë në lexim të parë...

Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive miratoi Propozim-ligjin rreth ndryshimit të Ligjit për deputetë në lexim të parë, me të cilin parashihet shkurtimi i kompensimeve për shpenzime rruge që bëjnë deputetët.
 
Propozimi i grupit parlamentar të LSDM-së, edhe pse u mbështet nga deputetët e partnerit shqiptar në koalicionin e shumicës, nuk është i harmonizuar në tërësi. Prandaj, parashihet edhe formimi  i grupeve të punës për të arritur pajtim. 
 
Deputeti i LSDM-së, Ilija Nollovski, i cili konsideron se shpenzimet duhet reduktuar, doli me të dhëna se shpenzimet e shfrenuara nga buxheti, vetëm për shpenzime rruge, vazhdojnë edhe më tej nga zyrtarët e qeverisë. 
 
“Është fakt se deputetët janë në shënjestër, por shumë zyrtarë të emëruar, posaçërisht drejtorë që kanë mbetur në pozicione, të “azdisur” i shpenzojnë paratë në të njëjtën mënyrë siç kanë punuar më herët. Fakt i pakontestueshëm është edhe ajo se për shumë vite deputetët kanë marrë para për shpenzime rruge pa urdhëresë për rrugën. Ka marrë kush sa ka dashur dhe si ka dashur”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Ilija Nikollovski.
 
Ndërkaq, kolegu i tij nga BDI, Rexhail Ismaili, konsideron se përveç shpenzimeve reale për rrugë, duhet marrë parasysh edhe rreziku me të cilin përballen deputetët gjatë udhëtimit me automobila privatë.
 
“Propozim ligjin në lexim të parë e mbështesim, kurse në lexim të dytë ndoshta do të kemi idetë dhe propozimet e grupit parlamentar të BDI-së. Ne duhet të kërkojmë një zgjidhje optimale, zgjidhje e mirë e cila do të jetë jo vetëm në interes të qytetarëve por edhe në interes të deputetëve. Nga përvoja, ne kemi pasur raste kur kolegët tanë për fat të mirë në fatkeqësi nuk kanë pësuar, por kanë pasur vetëm dëme materiale”,- tha deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.
 
Propozim ligji parasheh uljen e kompensimit për rreth 50% dhe zvogëlon mundësitë për keqpërdorime, pasi për dallim nga ligji aktual, me propozim ligjin e ri kërkohet që deputeti, përkatësisht zyrtari i zgjedhur apo i emëruar, pagesën në pikat rrugore ta bëjë me kartë debitore ose kartë krediti, në pronësi të tij, dhe me vërtetimin që merr për transaksionin e kryer dhe kuponin fiskal do të dëshmojë qarkullimin, përkatësisht shpenzimet për ardhjen në punë.
 
SHPËTIM NUREDINI