Ekonomi
Forumi Ekonomik Botëror, liderët botërorë dhe ekonomikë diskutojnë sfidat
24.01.2018 18:37
“Krijimi i një të ardhme të përbashkët në një botë të ndarë”, kjo është tema kryesore e Forumit ekonomik botëror në Davos...

Mbi tre mijë pjesëmarrës nga më shumë se 110 vende, mbi 340 figura publike, duke përfshirë mbi 70 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe 45 krerë organizatash ndërkombëtare diskutojnë rreth ekonomisë globale dhe sigurisë, për të vënë kornizat e reja nga duhet të lëvizet dhe këto korniza duhen vënë në një botë që gjithnjë e më shumë përballet me sfida.
“Po ndodh e kundërta e globalizimit. Globalizimi është duke humbur shkëlqimin e tij. Në vend të kësaj, proteksionizmi është duke fituar terrenin. Terrorizmi është i rrezikshëm. Edhe më keq është kur njerëzit thonë se ekziston një dallim midis terrorit ‘të mirë’ dhe ‘të keq’”,- tha kryeministri i Indisë, Nerendra Modi.
“Sot kemi një mori të tërë sfidash madhore. Jemi dëshmitarë të shfaqjes së trazirave gjeopolitike dhe të paqëndrueshme në shumë pjesë të botës. Jemi dëshmitarë të konflikteve të zgjatura të armatosura, të cilat janë duke destabilizuar shoqëri dhe ekonomi të tëra, duke rezultuar në lëvizje të mëdha të popullsisë dhe duke ushqyer terrorizmin. Dhe pastaj, ka ndryshime klimatike dhe pabarazi globale”,- tha presidenti i Zvicrës, Alain Berset.
“Izolacionizmi dhe proteksionizmi nuk ishin zgjidhje për sfidat ekonomike me të cilat përballen vendet anembanë botës”,- u shpreh kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Sipas Organizatës britanike OXFAM, aktualisht në botë 42 persona janë të pasur, thuajse sa gjysma e popullsisë globale, dhe 1% e të pasurve të botës vazhdon të zotërojë 99 % të pasurive, e madje vazhdojnë të pasurohen edhe më shumë. 82 % e pasurisë neto të regjistruar në botë nga marsi i 2016-s deri në mars të vitit 2017 ka shkuar dëm në xhepat e këtij 1 përqindëshi, thonë nga OXFAM.
Pabarazia ekonomike globale diskutohet nga liderët në Davos, por nuk pritet që kjo temë të gjejë zgjidhje në këtë forum.
GAZMEND KURTISHI
