Maqedoni

Ligji për gjuhët, VMRO kthehet në Kuvend të pengojë miratimin

24.01.2018 18:56

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të riulet në karriget e Kuvendit të Maqedonisë më 29 janar...

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të riulet në karriget e Kuvendit të Maqedonisë më 29 janar me qëllim që të pengohet miratimi, siç e quajnë ata “të ligjit të gjuhëve antikushtetues”. Sipas VMRO-së, Ligji i gjuhëve po miratohet me forcë dhe kjo është në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
 
“Me qëllim që të ndalohet politika destruktive, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të kthehet në karriget e Parlamentit që të propozojë amendamente, ku do të përpiqet që të parandalojë miratimin e ligjit antikushtetues. Me praninë tonë në Kuvend, do të përpiqemi që t’i bindim deputetët për rreziqet e miratimit të Ligjit të gjuhëve. Kjo bëhet se Ligji i gjuhëve, që del nga Marrëveshja e Ohrit, do të vendos në pozitë jomeritore turqit, vllehtë, boshnjakët etj. Qëllimi që propozuesit me forcë të miratojnë Ligjin e gjuhëve nuk është në dëm vetëm të VMRO-DPMNE-së, por edhe të Republikës së Maqedonisë. Vendimi i Qeverisë që të mos e kthejë pas Ligjin e gjuhëve dhe të mos hap debat konstruktiv për ligjin mund të nxisë pasoja afatgjate për shtetin e Maqedonisë dhe të dëmtojë kohezionin ndërmjet qytetarëve. VMRO-DPMNE-ja qëndron në anën e qytetarëve dhe Republikës së Maqedonisë, e për këtë do të bëjë çmos për mbrojtjen e interesave të shtetit”,- deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Mitko Jançev.