Nimic do të vizitojë Athinën dhe Shkupin
Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.....

Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, Metju Nimic, bëri të ditur se do të vizitojë Athinën dhe Shkupin javën e ardhshme.
“Me ftesë të qeverive të Greqisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Mathew Nimetz, do të qëndrojë në Athinë dhe Shkup në periudhën nga 29 janari deri më 1 shkurt”, thuhet në njoftimin e zyrës së tij.
Kontesti midis Greqisë dhe Maqedonisë daton qysh në vitin 1991, kur kjo e fundit ka shpallur pavarësinë.
Greqia nuk e pranon Maqedoninë me këtë emër, duke thënë se një gjë e tillë sugjeron se Shkupi ka pretendime territoriale ndaj një rajoni verior të Greqisë, i cili po ashtu quhet Maqedoni.
Bisedimet për zgjidhjen e kontestit kanë marrë hov javëve të fundit.
Dje kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Cipras, janë takuar për herë të parë, në margjina të samitit në Davos të Zvicrës.
Të dy zyrtarët kanë bërë disa koncesione për zgjidhjen e kontestit të emrit.
Maqedonia do të ndryshojë emërtimet për aeroportin dhe autostradën që mbajnë emrin e Aleksandrit të Madh – heroit të të dyja palëve, ndërsa Greqia do të tregojë vullnet të mirë dhe do të lejojë Maqedoninë të rrisë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
