Trumpi bisedë telefonike me Erdoganin: Të shmanget konflikti me forcat amerikane
25.01.2018 12:26
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me ç’rast Trumpi i bëri thirrje homologut turk “të shmangë çdo veprim që mund të çojë në konflikt midis forcave turke dhe amerikane”.
Trumpi po ashtu ka thënë se dhuna e vazhdueshme në Afrin “dëmton synimet e përbashkëta në Siri” për mposhtjen e grupit militant “Shteti Islamik”, njoftoi përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. Por, Erdogan ka thënë se do të vazhdojë operacionin ndërkufitar kundër milicisë kurde në enklavën Afrin, në veri të Sirisë, duke rritur shqetësimet në mesin e shumë aleatëve të NATO-s.
Erdogan po ashtu ka deklaruar se forcat turke do të zgjerojnë operacionin në qytetin Manbixh, kontrollin e të cilit forcat kurde e kanë marrë nga “Shteti Islamik” me mbështetje të ShBA-së. Një zyrtar kurd tha për agjencinë gjermane DPA se ushtarët amerikanë ndodhen ende në Manbixh, çfarë rrit mundësinë e përplasjeve të paqëllimshme midis forcave aleate të NATO-s.
“Me Manbixhin do ta shkatërrojmë këtë lojë përgjatë kufijve tanë dhe do ta pastrojmë rajonin nga kjo e keqe”,- tha Erdogani, duke u zotuar se “do t’i shfarosë terroristët”.
Ndërkohë, kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, ka deklaruar se operacioni, i cili përfshin trupat turq dhe rebelët aleatë sirianë, të mbështetur me avionë luftarakë, artileri dhe tanke, synon krijimin e një zone të sigurisë rreth 30 kilometra brenda Sirisë. Turqia e konsideron milicinë kurde në Afrin si grup terrorist dhe si degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila kërkon autonomi për kurdët brenda Turqisë.
Milicia kurde në Siri e mohon çdo lidhje të tillë. Kjo milici, e cila kontrollon territore të mëdha në verilindje të Sirisë, ka qenë aleat kryesor i ShBA-së në luftën kundër militantëve të “Shtetit Islamik”. Operacioni në Afrin ka nisur më 20 janar dhe është përqendruar në një zonë të udhëhequr nga kurdët pranë kufirit me Turqinë. Qeveria e Sirisë e dënoi operacionin e ushtrisë turke, duke vlerësuar se bëhet fjalë për “agresion turk në Siri”.
Edhe Moska “po e vëzhgon me kujdes operacionin në Afrin” dhe se është në kontakt edhe me Qeverinë turke, edhe me atë siriane, ka deklaruar Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërsa NATO tha përmes një deklarate se Turqia ka vuajtur nga terrorizmi dhe se ka të drejtë për vetëmbrojtje, por i bëri thirrje Ankarasë ta bëjë një gjë të tillë “në mënyrë proporcionale dhe të matur”.
SEVDIJE OMEROVIQ
